Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje ka deklaruar se nuk po zbatohet ligji për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara.
Përkundër legjislacionit, shton ajo, nuk janë zgjidhur problemet kryesore me të cilat ballafaqohen kjo kategori e personave. Edhe pse Kushtetuta parasheh përfshirjen në edukim, Balje pohon se jo të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara po vijojnë mësimin. Megjithatë, ajo për KosovaPress thotë se nuk posedojnë të dhëna të sakta për numrin e fëmijëve që shkojnë në shkollë.
Deputetja Duda Balje, e cila udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut pohon se personat me aftësi të kufizuara po jetojnë në kushte jo të mira.
“Jemi ende duke luftuar për udhëzimin administrativ për vlerësim, shumë takime kemi pasur me Handikos-in edhe me persona të cilët janë përgjegjës për gjendjen e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Me secilin prej atyre me të cilët kemi folur, si çështje e parë është komisioni mjekësor i cili është duke bërë vlerësimin Paraplegjik dhe Tetraplegjik edhe të tjerët, edhe brenda këto edhe për përcjellësin. Kemi thirr edhe përfaqësuesin e qeverisë, Zyrën e Kryeministrit dhe Zyrën Ligjore të cilët e kanë obligim për të nxjerrë këtë rregullore. Kemi pasur premtim se do të ndodhë shumë shpejtë por në fakt ka kaluar shumë kohë dhe ne ende nuk kemi marrë informata a kanë përfunduar me këtë udhëzim administrativ apo jo”, deklaron Balje.
Personat me aftësi të kufizuara, siç shton Balje, po përballen me vështirësi edhe në rrugë e institucione.
“Nuk kemi gjetur zgjidhje për top tri problemet që personi me aftësi të kufizuar sot ka. Brenda këtij grupi, gratë janë edhe më të diskriminuara, sepse ato kanë edhe më shumë nevoja më specifike edhe këtu duhet të koncentrohet e gjithë energjia. Kemi ligjin që secili institucion është i obliguar në çdo të 50-tin punëtor të jetë i punësuar një person me aftësi të kufizuara. Jemi duke bërë monitorimin se a e kanë respektuar mjaftueshëm këtë vendim a jo. Nuk jemi të kënaqur. Në Kuvend po, kemi tamam persona me aftësi të kufizuara i cili meriton me qenë punëtor brenda Kuvendit. Këtë duhet ta bëjë secila ministri, secili institucion, secila adresë shtetërore për të ndihmuar, motivuar. Sepse vërtetë ata janë një prej kategorive më të ndjeshme në Kosovë”, shton ajo për KosovaPress.
Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut thotë se “pikë e zezë” për vendin është edhe ndërprerja e shkollimit të personave me aftësi të kufizuara.
“Është një pikë e zezë. Sepse secili prej neve në bazë të Kushtetutës kemi të drejtë për edukim falas dhe në fakt Kushtetuta është akti më i lartë juridik në një shtet. Duhet bashkëpunimi me komisionin me qenë më i madh. Se pavarësisht sa jemi duke e përcjellur ne nuk kemi informata prej terrenit si duhet. Edhe kemi arsyetim prej personave përgjegjës një lloj mbrojtje që pastaj ne në Kuvend nuk mundemi ta kundërshtojmë sepse nuk kemi informata në terren. Pa marrë parasysh sa jemi ne nëpër shkolla, ose të vizitojmë institucionet, nuk është mjaftueshëm”, thekson ajo.
Deputetja Duda Balje shpreson se me përfshirjen e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në Kushtetutën e Kosovës, do të përmirësohet jeta e këtyre të fundit.
“Ne kemi monitoruar ligjin dhe në këtë pjesë dhe kemi punuar shumë për këtë udhëzimin administrativ bashkë me ta. Tash jemi duke pritur përgjigjen e komisionit. Konventa Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara ka kaluar në komision, kemi kaluar edhe në kuvend, kemi punuar shumë që të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës si Konventa e Stambollit. Por në mungesë të votave brenda sallës nuk kemi vota të mjaftueshme sepse duhet 2/3 të votave të komuniteteve. Këtu është arsyeja kryesore pse Konventa nuk mund të jetë pjesë e Kushtetutës. Nëse ne e kalojmë Konventën, krejt këto gjëra do të rregullohen shumë shpejt dhe do të jetë pjesë e Kushtetutës dhe asnjë institucion nuk kanë të drejtë për të devijuar diçka”, thotë ajo mes tjerash.
Kosova e ka miratuar që nga viti 2009 ligjin e veçantë, ku obligohet çdo institucion publik dhe privat që në çdo 50 punëtorë të ketë të punësuar një person me aftësi të kufizuar. /KosovaPress/