Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
(Përditësuar, ora 13:32)- Avokati Rodney Dixon ka thënë se Kadri Veseli është tërësisht i pafajshëm dhe këtë e vërtetojnë shumë pika. Ai tha se Veseli duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm.
“Ai meriton gjykim të drejtë dhe të duhur. Ai duhet të lirohet dhe të shpallet i pafajshëm për të gjitha akuzat. Nëse ndodh ndryshe, do të ishte një padrejtësi e madhe”, tha ai.
Ai ka deklaruar se në këtë proces gjyqësor do të arrihet në përfundim që Veseli nuk ka qenë i përfshirë në asnjë prej krimeve për të cilat Prokruroria pretendon se ka kryer, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Do vini në përfundimin që klienti im nuk është i përfshirë në asnjë prej krimeve të cilat pretendon Prokuroria që ai i ka kryer”, tha ai.
Madje, avokati përdori një frazë për të përshkruar atë se çfarë po ngjan se po bën Prokuroria.
“Ne parashtrojmë që ZPS-ja duket se po na tërheq zvarrë me vete me kaosin e mbretit të mizave. Sipas ZPS-së, çdo lloj asocimi ka kuptim për sa kohë i shërben asaj. Sipas nesh, si rezultat ZPS-ja nuk mbështetë dhe nuk konfirmon asnjë prej akuzave të tij dhe nga ana tjetër ka shumë pika të cilat mund të vërtetojnë që klienti im është tërësisht i pafajshëm”, tha ai.
Dixon shtoi se parashtrojnë që qëndrimi i Prokurorisë duhet të hudhet poshtë. Tha se përgjegjësia eprore nuk është e bazuar fare dhe se nuk qëndron.
“Siç kemi thënë në dosjen tonë, përgjegjësia eprore nuk qëndron fare, nuk është e bazuar. Kontrolli efektiv është i vetmi prag përmes të cilës mund të ndodhë kjo dhe pa NPK dhe pa strukturë komanduse për ZKZ, kjo portë mbetet tërësisht për ZPS-në. Pra, ZPS-ja nuk mund ta përdorë këtë pistë dot.
Avokati: Kadri Veseli s’ka lidhje me komunikatat
(Përditësuar, ora 13:21)- Gjatë parashtrimeve të tij në deklaratën përmbyllëse, mbrojtja e Kadri Veselit, e përfaqësuar nga Rodney Dixon ka thënë se klienti i tij nuk ka pasur lidhje me komunikatat e UÇK-së.
Ai thotë se Prokuroria pretendon se Veseli ka ndihmuar shpërndarjen e deklaratave të UÇK-së, që ka formuar shtyllën kurrizore të politikave të bashkëpunëtorëve- rrjedhimisht për komunikatat dhe deklaratat, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas avokatit Dixon, Prokuroria pretendon se Veseli ka dhënë të gjithë informacionin që është pasqyruar në këto komunikata
“E gjithë gjëja sipas ZPS-së vinte prej tij, ndërkohë që nuk ka asnjë pikë prove që mbështetë këtë pretendim të ZPS-së”, tha ai.
Ai tha gjithashtu se Prokuroria e ka parë të nevojshme që të krijojë lidhje në mes Veselit dhe komunikatave si të vetmen mënyrë, sipas tyre, për ta lidhë atë me krimet.
“Është e nevojshme që të krijohet kjo lidhje në mes Veselit dhe komunikatave në njëfarë mënyre sepse kjo është e vetmja mënyrë që lidhet ai me krimet. Megjithatë, kjo është një mënyrë dëshpëruese e ZPS-së për ta fajësuar klientin tim dhe nuk jep asnjë provë që e mbështetë dhe e konfirmon këtë. Gjuha që ka përdorur dhe formulimi që ka përdorur ZPS-ja është e vagullt, është e përgjithshme. ZPS-ja thotë se; Kadri Veseli ka marrë, ka vlerësuar dhe ka transmetuar, ka dhënë informacion inteligjent që ka formuar bazën e komunikatave”, tha ai.
Dixon shtoi se nuk është e qartë se për çfarë informacioni inteligjent bëhet fjalë dhe se kujt ia ka dhënë këtë informacion.
“ZPS-ja nuk sqaron për shembull nëse Veseli i ka hartuar, shpërndarë, ose dhënë për palë të tjera këto komunikata. Kjo është e rëndësishme sepse në të kundërtën janë fjalë bosh. Në qoftë se ti ngre një pretendim të tillë, është e rëndësishme që të japësh fakte dhe të konfrmosh pretendime të tilla”, tha ai.
Dixon: SHIK-u u krijua pas lufte, ZPS s’ka prova që Veseli ishte shef i kësaj strukture më 1999
(Përditësuar, ora 13:07)- Në fjalën përfundimtare të enjten në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, avokat i ish-parlamentarit Kadri Veseli, Rodney Dixon, deklaroi se Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) është krijuar pas lufte.
“Vetëm pas lufte siç e kam thënë disa herë dhe siç e keni parë nga provat se u krijua struktura e Shërbimit Informativ. Vetëm në këtë periudhë Veseli ishte në gjendje dhe filloi të drejtonte këtë strukturë”, tha ai.
Ai shtoi se provat tregojnë që ishe e pamundur që kjo strukturë të krijohej gjatë luftës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Provat tregojnë se gjatë luftës ishte e pamundur që ta krijoje këtë strukturë”, tha avokati.
Pas kësaj, Dixon deklaroi se Prokuroria nuk ka provuar që Veseli ka qenë shef i SHIK-ut gjatë 1999-ës dhe se merrej me çështjet e transferimeve nga zona në zonë.
“ZPS-ja nuk ka provuar që zoti Veseli ka qenë shef i SHIK-ut gjatë vitit 1999 dhe të merrej me çështje të transferimeve nga një zonë në zonën tjetër në UÇK në qoftë se ka qenë në funksionim në atë kohë… Nuk ka asnjë provë që ta mbështesë këtë pretendim”, tha ai.
Gjatë deklaratës përmbyllëse, Dixon tha se Prokuroria gjithnjë e më shumë po e arrin fundit në përpjekje për të treguar se Veseli ka kontribuar në të ashtuquajturën Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale.
“ZPS-ja është duke rënë gjithnjë e më shumë dhe po arrin fundin kur pikërisht përpiqen të tregojnë se si Veseli ka kontribuar për NPK-në”, tha ai.
Dixon theksoi se në këtë gjykatë kanë ardhur persona që kanë dëshmuar rrejshëm nën betim. Gjithashtu, përmendi edhe faktin se si një tani prokuror ishte roje burgu tek të akuzuarit.
Dixon: Gjykata duhet të ketë kujdes nga dëshmitë që ua dha Serbia
(Përditësuar, ora 11:10)- Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon tha se Gjykata Speciale duhet të ketë kujdes nga dëshmitë e dhëna nga Serbia.
Përveç kësaj, ai tha se mbështetja e autoriteteve ndaj kësaj gjykate duhet të merret parasysh, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Autoritetet serbe dhe mbështetja e tyre për këtë gjykatë po ashtu duhet të merren parasysh në veçanti kur flitet për qëllime forenzike për vlerësimin e provave që ata i kanë dhënë gjykatës”, tha Dixon.
Avokati Dixon tha se nuk është e ndershme në aspektin intelektual që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe.
“Sikurse e kam theksuar edhe më herët, në aspektin intelektual nuk është e ndershme që të argumentosh që mund të anashkalosh politikat serbe dhe dominim serb, ndërkohë që vlerësohet nëse UÇK-ja ka pasur në thelb të njëjtën politikë dhe në të njëjtën kohë të thuash se ka shkuar në drejtim tjetër”, tha ai.
Avokati shtoi se Serbia ka kryer aparteid në Kosovë ngjashëm si në Afrikën e Jugut. Por, dallimi sipas Dixon është që Serbia u mundua të gjykojë ata që kishin vuajtur nën sistemin e tyre, ndërsa në Afrikën e Jugut, ekzekutorët kishin pranuar fajin.
Përpara kësaj, Dixon tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë janë të rëndësishme për Kosovën në aspekt të sundimit të ligjit.
“Rëndësia e DhSK-së për Kosovën është absolutisht e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe për pajtime të ardhshme, edhe për një vend të tillë të botës që nuk është në qendër të vëmendjes së botës apo që nuk tërheq vëmendje kryesore në titujt e gazetave ose të lajmeve kryesore, përsëri është e rëndësishme që të merret parasysh e gjithë mbështetja e vendit për këtë gjykatë”, tha ai.
Dixon: S’mund të injoroni se çfarë ka bërë Serbia, sikur kanë qenë dele që kalonin gjatë natës
Në deklaratën e tij përmbyllëse, avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, deklaroi se nuk mund të injorohet ajo se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë dhe se ata nuk kanë qenë thjesht “dele që kalonin gjatë natës”.
“Ju nuk mund të injoroni atë e çfarë ka bërë Serbia sikur Serbia të ishin thjesht dele që kalonin gjatë natës”, tha Dixon, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai tha se në Kosovë ka pasur aparteid ngjashëm qysh si ndodhur në Afrikën e Jugut. Por, për dallim të fundit kishin kërkuar falje ndaj viktimave, ndërsa Serbia ka akuzuar persona që kanë vuajtur nën sistemin e tyre.
“(Ata në Afrikën e Jugut) kërkuan ndjesë për atë se çfarë kishin bërë. Në Kosovë, arkitektët serbë dhe ekzekutuesit e bënë të kundërtën. Ata akuzuan persona që kanë vuajtur në atë sistem dhe kërkuan që ata që kanë vuajtur të gjykoheshin dhe në fakt jo vetëm kaq por dhanë prova që kjo të bëhej për t’iu thënë ndërkombëtarëve që ‘ju kemi thënë se këta të UÇK-së janë rrugaçë e janë të pabindur. Ne kemi pasur të drejtë për atë se çfarë kemi bërë në Kosovë”, tha Dixon.
Përpara kësaj, Dixon tha se angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet.
“Ngjarjet që mbulon kjo çështje gjyqësore kanë ndodhur 25 vite më përpara ndërkohë që procesi gjyqësor nuk është se ndiqet shumë jashtë Kosovës. Megjithatë, në një peizash ndërkombëtar që përfshinë shtete që atashohen me gjykatat ndërkombëtare dhe është e rëndësishme që të theksohet se Kosova ka dhënë mbështetjen e plotë. Kështu që për këtë arsye angazhimi i Kosovës ndaj drejtësisë duhet të përgëzohet dhe duhet të jepet roli që meriton në shtete dhe në kombe të ndryshme në botë dhe duhet të sigurohet respektimi i sundimit të ligjit”, tha ai.
Avokati përmend deklaratën e ministrit të mbretit Luigj XIII derisa thotë se Prokuroria s’ka prova kundër Veselit
(Përditësuar, ora 10:54)- Avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, gjatë elaborimit të fjalës përfundimtare para trupit gjykues në Hagë, të enjten, tha se fjalët e ministrit kryesor të mbretit Luigj XIII mbesin shqetësuese edhe pse u thanë që në vitin 1620.
Ai tha se ky ministër kishte thënë se po t’i jepen gjashtë rreshta të shkruara nga dora e njeriut të ndershëm, përsëri do të gjendej diçka për të çuar në varje, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ministri kryesor i mbretit Luigj XIII nga viti 1620, fjalët e tij mbesin shqetësuese siç kanë qenë edhe atëherë dhe po citoj: po të më japësh gjashtë rreshta të shkruara nga dora e njeriut më të ndershëm unë përsëri do të gjej diçka për të cilën do ta çojë në varje”, tha ai.
Përpara kësaj, Dixon tha se Prokuroria po bën “akrobaci” në argumentet e saj në rastet kur nuk ka prova ndaj Veselit.
“Fatkeqësisht, Prokuroria bën akrobaci në argumentet e saj në rastet kur nuk ka prova kundër klientit tim dhe është pikërisht kjo që në fakt të shqetëson tej mase. Kjo është në kundërshtim me traditat krenare të gjykatave të shkuara dhe të tanishme”, deklaroi Dixon.
Ai shtoi se klienti i tij mund të ndihet në ankth gjatë kohës sa po qëndron në burg.
“Mund ta imagjinoni se si ndihet klienti im në burg- plot ankth në një çështje e cila të mund të perceptohet e vërtetë vetëm se argumenti është vendosur këtu”, u shpreh ai.
Rrjedhimisht, avokati tha se kjo çështje ka në nocion shfrytëzimin e copëzave të informacionit, thashethemeve, spekulime e propaganda.
“Në Amerikë është që një prokuror mund të ngrejë një çështje edhe kundër një sandviçi me proshutë dhe ky rrezik ekziston gjithë kohën në kushtet e një lufte guerilese, nuk nuk ka procesverbale të rregullta por copëza letrash, kur niveli i propagandës dhe mburrja është e nivelit të lartë”, tha ai ndër tjerash.
Avokati i Veselit: Përfundimi i këtij rasti do jetë sukses për shkak se do lirohet një person i pafajshëm
(Përditësuar, ora 10:45)- Avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, tha se ky rast gjyqësor i cili ka zgjatur për më shumë se pesë vjet do të ketë sukses, për shkak se do të lirohet një person i pafajshëm.
Ai tha se rrjedhimisht do të vendoset precedent për brezat e ardhshëm të cilët do ta zbatojnë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Koha që ka kaluar, sado që të ketë qenë e rëndë dhe e vështirë, do të ishte me vlerë dhe e gjithë ajo bojë që është harxhuar në mijëra faqe të dosjeve tona, fondet që janë shpenzuar për këtë gjykatë do të jenë më vlerë për viktimat dhe të gjithë. Do të jenë më vlerë për Kosovën dhe tërë popullin e saj, pavarësisht përkatësisë etnike…Kjo do të bëj që përfundimi i gjykimit të Veselit për një kohë për më shumë se 5 vitesh do të jetë sukses, jo vetëm për shkak se do të lirohet një person i pafajshëm por do të vendoset edhe precedenti që brezat e ardhshëm do të zbatojnë”, tha ai.
Dixon shtoi se nuk dëshiron që brezat e ardhshëm në Kosovë dhe rajon të mos kenë besim në shtetin ligjor, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjëja e fundit që dua në këtë është që brezat e ardhshëm në Kosovë dhe rajon e më gjerësisht të mos kenë besim në shtetin ligjor për shkak se është shkelur hapur në këtë çështje gjyqësore”, tha Dixon.
Dixon i tha trupit gjykues se janë gardianët e shtetit ligjor dhe se do ta pengojnë ‘përpjekjen e kotë’ të ZPS-së ‘me qëllim që të mos shtrembërohet drejtësia’.
“Ka persona që kanë gënjyer nën betim”
Avokati i Veselit vazhdon pretendimet kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
“Dëshmitarët e thirrur nga ZPS-ja janë thirrur për pohimin e vërtetësisë të qëndrimit të saj. Por, në të njëjtën kohë ne kemi parë që ZPS-ja ka sulmuar dëshmitarë dhe kemi pasur persona të vërtetë prej të cilëve ZPS-ja nuk ka marrë përgjigje, derisa gënjeshtarëve u ka dhënë mundësi për t’i dhënë përgjigjet e tyre. Kështu që, si është e mundur që gjykata të mbështetet në pjesë të caktuara të dëshmitarëve për të dhënë vendim fajësie përtej dyshimit të arsyeshëm, ndërkohë që për të tjerët thuhet se nuk mund të besohen për asnjë aspekt? Ka pasur persona që kanë gënjyer nën betim, duke mos e thënë të vërtetën”, ka deklaruar Dixon.
Avokati i Veselit: Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar
Avokati Rodney Dixon i cili përfaqëson Kadri Veselin, gjatë deklaratës së tij përmbyllëse ka thënë se viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar.
“Viktimat e dinë shumë mirë se padrejtësia më e keqe është drejtësia e pretenduar apo false”, tha ai.
Ai tha se koha nuk i shëron plagët, por që pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson dhimbjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët dhe kjo vlen për të gjitha konfliktet. Pamundësia për të arritur drejtësinë vetëm e përkeqëson këtë dhimbje dhe këtë vuajtje dhe ky dështim bëhet më keq kur bëhet fjalë për mashtrim nga sistemi i drejtësisë. Viktimat siç tha zoti Laws kanë nevojë për drejtësi të bazuar në të vërtetën dhe në realitetin”, tha Dixon.
Ai tha se duhet të mbrohen të pafajshmit dhe se gjykatat duhet të jenë me integritet.
“Në synimin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë që është e domosdoshme dhe nuk është një opsion, duhet të mos sakrifikohet e vërteta. Duhet të mbrohet të pafajshmit dhe gjykatat tona duhet të jenë me integritet”, tha avokati.
Dixon: Lista e ‘asgjësë’ vazhdon për Veselin
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, të enjten po vazhdon dhënia e fjalës përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Deklaratat përmbyllëse sot i vazhdon mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon.
Ai tha se lista e ‘asgjësë’ për krimet e pretenduara ndaj Veselit vazhdon, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Numri i urdhrave të lëshuara jashtë shtetit, raporte që kanë të bëjnë me çështje të inteligjencës, vendime të marra, emërime të bëra, përfshirë edhe veprime ushtarake të cilat nuk janë të paligjshme apo me diçka që ka të bëjë me krime të pretenduara të kësaj çështje apo ndonjë gjë tjetër të jetë e ndërlidhur. Asnjë! Lista e asgjësë vazhdon”, tha ai.
Ai tha se të gjitha këto nuk arrijnë të vërtetojnë se Veseli ka luajtur një rol kriminal dhe se argumentet e Prokurorisë janë shumë të vogla për shkak se janë rrethanore.
“Këto shifrat nuk arrijnë që të përbëjnë një konspiracion gjigand kriminal në të cilin të ketë luajtur rol Veseli. Janë këto argumentet rrethanore që janë shumë të vogla”, tha ai.
Dixon tha se kritikat e tij ndaj ZPS-së nuk zvogëlojnë vuajtjet e viktimave në Kosovë, disa prej të cilave janë në qendër të aktakuzës së kësaj çështjeje.
Fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.
Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën e tij përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e cila pritet ta vazhdojë edhe sot më 12 shkurt.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.