Perceptimi i zviceranëve ndaj SHBA-së është përkeqësuar gjatë muajve të fundit, me 41 për qind të të anketuarve që e përshkruajnë presidentin Donald Trump si armik ose rival ndërsa më pak njerëz e shohin SHBA-në si aleate ose partnere, sipas një ankete të re, transmeton Anadolu.
Gjetjet u publikuan nga agjencia zvicerane e lajmeve Keystone-SDA, duke cituar një anketë të kryer në maj nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, në bashkëpunim me Departamentin Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës.
Anketa tregoi se 26 për qind e të anketuarve e konsiderojnë Trumpin armik ndërsa 15 për qind e shohin si rival. Ndërkohë, 45 për qind e konsiderojnë SHBA-në aleate ose partnere, nga 53 për qind që ishte kjo shifër gjashtë muaj më parë.
Sipas raportit, shqetësimet lidhur me politikat tarifore të Trumpit dhe kritikat e tij të përsëritura ndaj rendit ekzistues ndërkombëtar janë ndër faktorët që po nxisin skepticizmin në rritje. Nga 12 vendet evropiane të përfshira në anketë, Zvicra regjistroi qëndrimet më negative ndaj Trumpit.
Anketa gjithashtu nxori në pah rënien e besimit ndaj SHBA-së si partnere e sigurisë. Tre të katërtat e të anketuarve thanë se nuk besojnë se Washingtoni do t’i ofronte ndihmë ushtarake Zvicrës në rast të një sulmi. Në të kundërt, rreth dy të tretat e të anketuarve thanë se besojnë se vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) do t’i vinin në ndihmë Zvicrës në një skenar të tillë.
Qëndrimet ndaj prokurimit të mbrojtjes kanë ndryshuar gjithashtu, me 73 për qind që kundërshtojnë blerjen e armëve të prodhuara në SHBA dhe vetëm 15 për qind që mbështesin blerje të tilla. Anketa gjeti gjithashtu mbështetje të fortë për rritjen e blerjeve të pajisjeve ushtarake evropiane në të ardhmen, duke reflektuar shqetësimet më të gjera për sigurinë dhe partneritetet mbrojtëse të Evropës. /Anadolu Agency/