Alonso zbulon planin për Rogersin dhe Palmerin te Chelsea

Trajneri i ri i Chelseat, Xabi Alonso, është shprehur i kënaqur më transferimin rekord të Morgan Rogers.

Strategu spanjoll mendon se mesfushori anglez do t’i japë një dimension të ri skuadrës dhe do të krijojë një partneritet të fortë me Cole Palmer.

Chelsea e transferoi 23-vjeçarin nga Aston Villa javën e kaluar për 117 milionë funte, një shumë që përbën rekord për një futbollist britanik.

Në konferencën për media para ndeshjes miqësore ndaj Western Sydney Wanderers, Alonso e cilësoi Rogersin si përforcimin ideal për skuadrën.

“Është një transferim i shkëlqyer. Në atë pozicion kishim nevojë për një lojtar të rëndësishëm dhe besoj se nuk kishte shumë opsione më të mira se Morgan. Jemi shumë të lumtur që e kemi sjellë te Chelsea”, deklaroi Alonso.

Ai tha se tashmë ka një plan të qartë se si do ta përdorë Rogersin së bashku me Cole Palmer, me të cilin anglezi ka edhe miqësi të ngushtë jashtë fushës.

“Kam një plan dhe një ide të qartë. Mendoj se Morgan dhe Cole do të lidhen shumë mirë në lojë. Duhet të kemi një kombinim të mirë mes lojtarëve që japin stabilitet dhe atyre që kanë më shumë liri në sulm. Nëse arrijmë këtë ekuilibër, do të jemi shumë më konkurrues si me topin, ashtu edhe pa të”, theksoi ai.

Trajneri i Chelseat vlerësoi gjithashtu fleksibilitetin e Rogersit, duke theksuar se ai mund të luajë në disa pozicione në repartin ofensiv.

“Një nga cilësitë më të mira të tij është se mund të luajë në role të ndryshme. Ai është shumë i mirë pas sulmuesit, por ka luajtur edhe në krahun e djathtë, ndërsa mendoj se ndihet më mirë kur vjen nga e majta. Ne do ta aktivizojmë aty ku ai ndihet më komod dhe mund të japë më të mirën”, deklaroi spanjolli.

Rogers nuk është pjesë e turneut parasezonal të Chelseat në Australi, pasi ishte i angazhuar me Anglinë në Kupën e Botës 2026, ku “Tre Luanët” e përfunduan turneun në vendin e tretë.

Chelsea do të zhvillojë të martën ndeshjen e parë nën drejtimin e Xabi Alonsos ndaj Western Sydney Wanderers, ndërsa më pas do të përballet me Tottenhamin në Sydney dhe Juventusin në Hong Kong në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri. /RTKLive

Read Previous

Gjykata Speciale nis pushimin

Read Next

Vlerësohet e “çuditshme” deklarata e fundit e Infantinos