Ali Ahmeti shpallet Qytetar Nderi i Tiranës

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti u nderua sot me titullin “Qytetar Nderi” i Tiranës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij ndaj popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Në ceremoninë e nderimit të Ali Ahmetit me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” ishin të pranishëm, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi, si dhe personalitete të tjera të rëndësishme shqiptare.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti pas marrjes së titullit, ka thënë se “këtë nder të sotëm e ndaj me të gjithë patriotët e burgosur politikë në shtetin tim e Kosovë, me 3 mijë mbetje mortore në vendlindjen time, se ata për atë flamur dhe gjuhë janë vrarë. Më keni nderuar me këtë titull”.

“Shqipëria ka ndarë bukë e kripë e zemër me ne, me të gjithë ata që nuk janë sot, por është Kosova shtet, por janë shqiptarët në Maqedoni, shtetformues”, ka thënë me këtë rast Ahmeti.

Kreu i BDI-së ka theksuar se Tirana ka qenë edhe shtëpia e bashkëluftëtarëve të tij që dhanë jetën për kombin.

“Kjo është Tirana e Adem Jasharit, kjo është Tirana edhe e Zahir Pajazitit, po kjo është Tirana edhe e Fehmi Lladrovcit e Xhevë Krasniqit. Kjo është Tirana që akoma buzëqeshja kur ka parë kompaninë e parë që po futet në Kosovë, Luan Haradinajt, që si djalin e vet e ka mbajtur nëna Dritë”, ka thënë Ahmeti.

Ali Ahmeti u nderua me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, me motivacionin: “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të vazhdueshëm në mbrojtje të interesave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, rritjen e marrëdhënieve politike, shoqërore dhe ekonomike midis komunitetit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me qytetarët e Tiranës, dhe forcimin e lidhjes mes komuniteteve për të ndërtuar një klimë të përbashkët të bashkëpunimit dhe respektit ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve”.

Kryetari i Tiranës, Erion Veliaj theksoi se Ali Ahmeti do të mbetet në historinë e

“Është një nder i veçantë që sot, miku, vëllai, frymëzuesi, misionari, kryetari Ali Ahmeti dhe familja e tij e bukur na është bashkuar, teksa do jetë qytetari më i ri i Tiranës sonë të madhe. Tirana i ka me pikatore qytetarët e nderit: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Kristo Frashëri, Adem Demaçi, për të përmendur disa, dhe sot do i bashkohet këtij gjerdani të njerëzve që e nderojnë qytetin tonë, me qytetarinë e nderit, kryetari ynë, lider, misionar, frymëzues, Ali Ahmeti”, ka theksuar Veliaj.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e vlerësoi Ali Ahmetin si mjeshtrin më të madh në përdorimin e armës së diplomacisë për të afirmuar botërisht subjektivitetin kombëtar.

“Një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se pa Ali Ahmetin shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të ishin sot në ditën e tyre më të mirë në historinë e atij shteti./rtklive

Read Previous

BE: Masat ndaj Kosovës do të jenë në fuqi derisa të mos ketë arsye për to

Read Next

Macroni përsëri s’e hedh poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë