Aktakuzë kundër një zyrtari policor dhe gjashtë personave tjerë për bixhoz dhe vepra tjera penale

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë  të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari policor dhe gjashtë personave të tjerë, të cilët ngarkohen për veprat penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria njofton se Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.N. (zyrtar policor) për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe  “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, ndërsa ndaj të pandehurve Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” të KPRK-së, si dhe ndaj të pandehurve Rr.K. dhe G.H., për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” të KPRK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri S.N., në cilësinë e personit zyrtar, i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me dashje dhe dijeni e ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke i krijuar favore personit tjetër në atë mënyrë që gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, i pandehuri në kundërshtim me detyrat e tija zyrtare, kishte komunikuar përmes telefonit dhe pa autorizim, me avokatin e të dyshuarit-tani i ndjerë,  i cili ka qenë i dyshuar për veprën penale të dhunës në familje, me qëllim të mundësimit të lirimit të tij fillimisht nga masa e ndalimit, e më pas duke i mundësuar të takohej dhe të ketë kontakte me familjarët e tij e me persona të tjerë, si dhe duke kërkuar edhe nga zyrtarët e tjerë policorë që ishin në zbatim të vendimit të prokurorit të shtetit mbi ndalimin e të dyshuarit-tani i ndjeri, që t’ia mundësonin kontaktet me familjarët dhe personat e tjerë, kështu duke vazhduar edhe me pengimin e zbatimit të masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit Rr.K., V.B., Q.Th., Y.K., dhe G.M., në vazhdimësi e deri më 07.09.2023, në vende të ndryshme të Prishtinës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin, kanë organizuar, ndihmuar dhe marrë pjesë në lojëra të fatit-bastore, përmes një faqes së internetit dhe përdorimit të telefonave të mençur.

Ndërsa, të pandehurve Rr.K. dhe G.H., pas zbatimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata për kontroll u janë gjetur në posedim armë pa autorizim nga organi kompetent. /BetimipërDrejtësi

Read Previous

Përleshje fizike mes tre personave, njëri lëndohet nga arma e zjarrit

Read Next

Nikolla: Baza e NATO-s në Kuçovë një ditë domethënëse për rajonin