Aksion i Task-Forcës kundër Piraterisë – sekuestrohen rreth 3000 libra shkollor

Aksion i Task-Forcës kundër Piraterisë – sekuestrohen rreth 3000 libra shkollor, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Task-Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit, sot me datën 04.09.2024 në bashkëveprim ndërinstitucional në përbërje të Zyrës për të Drejtat e Autorit MKRS, Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut dhe të Policisë së Kosovës – Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka bërë kontrollimin e subjekteve të cilat merren me prodhimin, shitjen dhe shpërndarjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit.

Procesi kontrollues dhe mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për të Drejtat e Autorit nga ana e Task-Forcës, respektivisht Inspektoratit të Tregut në mbështetje të Policisë së Kosovës është zhvilluar në disa qytete të Kosovës dhe është bërë sekuestrimi i materialit pirat.

Zhvillimi i këtyre veprimeve kundër piraterisë në vend ka sjellë si rezultat sekuestrimin e rreth 3000 librave arsimore-shkencore dhe profesionale.

Ndaj bizneseve tek të cilat është gjetur materiali pirat, pa leje dhe pa marrëveshje me mbajtësit e të drejtave, institucionet e zbatimit të ligjit do të ndërmarrin masa ndëshkuese konform legjislacionit në fuqi.

Task-Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, njofton mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se është në veprim dhe do të ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore.

Task-Forca kundër piraterisë kërkon nga të gjithë personat të cilët pretendojnë se të drejtat e tyre janë duke u shkelur të drejtohen në organet kompetente, Inspektoratin e Tregut dhe Policinë e Kosovës./indeksonline/

Read Previous

​Hadërgjonaj dhe Vojvoda optimistë për fitore ndaj Rumanisë

Read Next

Asgjësohen bimë narkotike në malet e Koshares