AKB mbështet marshin e 12 shtatorit, thirrje për mobilizim masiv në Prishtinë

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur mbështetje për marshin “Liria ka emër”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke bërë thirrje që në këtë organizim të marrin pjesë bizneset, punëtorët dhe familjet nga e gjithë Kosova.

Pas takimit me Këshillin Organizativ të protestës, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se komuniteti i biznesit do të jetë pjesë e marshit dhe se synohet një pjesëmarrje e gjerë qytetare.

“AKB-ja, së bashku me anëtarët, bashkëpunëtorët dhe punëtorët tanë, do t’i bashkohet marshit të 12 shtatorit në qendër të Prishtinës. Ftojmë bizneset dhe qytetarët që t’i përgjigjen kësaj thirrjeje”, tha Shahini.

Sipas tij, pjesëmarrja në marsh shihet si një formë e mbështetjes morale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po përballen me proces gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë.

“Ne e konsiderojmë këtë pjesëmarrje si një kontribut modest ndaj njerëzve që, sipas nesh, kanë dhënë shumë për vendin. Është e rëndësishme që nga Kosova të përcillet një mesazh se ata nuk janë të harruar dhe se kanë mbështetjen tonë morale”, u shpreh ai.

Në mbështetje të kësaj nisme u deklarua edhe Eliza Hoxha nga organizimi “Liria ka emër”. Ajo theksoi se bizneset kosovare kanë pasur rol të rëndësishëm në periudha të ndryshme, përfshirë mbështetjen gjatë luftës dhe kontributin në rindërtimin e vendit.

“Bizneset kanë qenë gjithmonë pranë qytetarëve, nga periudha e luftës e deri te proceset e zhvillimit dhe rindërtimit të Kosovës. Edhe në organizimet e kaluara, ato kanë ndihmuar në mobilizimin dhe bashkimin e qytetarëve rreth një mesazhi të përbashkët”, tha Hoxha.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve, familjeve dhe bizneseve që të jenë pjesë e marshit të 12 shtatorit, duke thënë se organizatorët i konsiderojnë ish-krerët e UÇK-së të pafajshëm.

“Për ne, ata mbeten të pafajshëm dhe simbol i një periudhe në të cilën është luftuar për lirinë e Kosovës. Mesazhi ynë është që qytetarët të bashkohen, pavarësisht moshës, gjinisë apo profesionit, për të treguar se nuk janë vetëm”, deklaroi Hoxha.

Organizatorët kanë paralajmëruar pjesëmarrje masive në Prishtinë më 12 shtator, me synimin që përmes marshit të përcillet një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së. /RTKlive

Read Previous

Rama: Laboratorët e teknologjisë krijojnë “ushtarë” që nxisin narrativa dhe tension

Read Next

Trump premton 5 mijë dollar për çdo qytetar nëse fitojnë republikanët