Abdixhiku: Suspendimi i dialogut me SHBA-të, pika më e ulët e marrëdhënieve me aleatin strategjik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si momentin më të rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Ai ka akuzuar qeverinë në detyrë se ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizën dhe përçarjen, duke e quajtur “shkatërruese të shtetit” dhe “shkelëse të Kushtetutës e ligjit”.

Në reagimin e tij, kryetari i LDK-së u bëri thirrje qytetarëve për unitet, duke theksuar se është koha që të ndalet “çmenduria politike” dhe të rikthehet Kosova në rrugën euroatlantike.

“LDK do të kujdestarojë me plot përkushtim e përgjegjësi rrugën euroatlantike të Kosovës; do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë vendin tonë në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë. Le t’i japim dritë Republikës sonë të përhershme!”, theksoi Abdixhiku. /Koha.net/

Read Previous

Mungesa e mbështetjes institucionale nuk ndal MMA Fight Club Gjakova

Read Next

Suspendimi i dialogut strategjik, reagon Qeveria e Kosovës