Haaland: Nuk kemi shanse për titullin, Franca na mposht dhe e fiton tërë turneun
Studioja e njohur e filmit A24 dhe gjiganti teknologjik Google DeepMind kanë njoftuar një partneritet të ri kërkimor në fushën e inteligjencës artificiale, me synimin për të zhvilluar teknologji të reja që do t’u shërbejnë krijuesve të filmave.
Sipas mediave ndërkombëtare, investimi i Google në këtë bashkëpunim arrin në rreth 75 milionë dollarë. Marrëveshja do t’i mundësojë A24 qasje në kërkimet dhe infrastrukturën teknologjike të DeepMind, ndërsa studiuesit e kompanisë do të punojnë së bashku me ekipin e studios për të krijuar mjete dhe procese të reja për prodhimin filmik, shkruan The Variety, transmeton KultPlus.
Palët kanë theksuar se marrëveshja nuk i jep Google qasje në bibliotekën e filmave të A24 apo në të dhënat e saj kreative.
Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur industria e filmit po eksploron gjithnjë e më shumë përdorimin e inteligjencës artificiale. Në vitet e fundit, kompani të mëdha të argëtimit kanë lidhur partneritete me zhvillues të AI-së, ndërsa në raste të tjera kanë ngritur padi për çështje që lidhen me të drejtat e autorit dhe përdorimin e përmbajtjeve kreative.
Scott Belsky, partner në A24 dhe drejtues i divizionit teknologjik A24 Labs, deklaroi se qëllimi i bashkëpunimit nuk është të zëvendësojë krijuesit apo të prodhojë filma më shpejt dhe më lirë, por të krijojë mjete që mbështesin procesin krijues dhe ruajnë kontrollin artistik.
Sipas tij, studioja po eksploron përdorimin e inteligjencës artificiale për krijimin e storyboard-eve dhe përmirësimin e proceseve të planifikimit vizual të projekteve filmike.
Nga ana tjetër, Eli Collins, zëvendëspresident për produktet në DeepMind, tha se inovacioni arrihet kur teknologjia vendoset në duart e profesionistëve më të talentuar të fushës.
A24 konsiderohet një nga studiot më të suksesshme të kinemasë së pavarur në vitet e fundit, duke sjellë filma të vlerësuar nga kritika dhe publiku si “Lady Bird”, “Moonlight”, “Everything Everywhere All at Once” dhe “Backrooms”.
Megjithatë, zhvillimet e shpejta në inteligjencën artificiale vazhdojnë të ngjallin debat. Një studim i fundit i Pew Research Center tregon se rreth gjysma e të rinjve nën moshën 30-vjeçare besojnë se inteligjenca artificiale mund të ketë ndikim negativ në shoqëri.
Partneriteti mes A24 dhe Google pritet të shihet si një test i rëndësishëm për mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të integrohet në industrinë kreative pa cenuar rolin e autorëve dhe artistëve./KultPlus.com