Presidenti i Letonisë, Egils Levits, ka shprehur gatishmëri për të mbështetur Kosovën në rrugën euroatlantike të saj. Ai në konferencën e përbashkët me presidenten Vjosa Osmani, tha se tani është koha e duhur për fuqizimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe NATO-s.
Presidenti letonez e mbështeti edhe anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës dhe kërkoi nga BE-ja liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ndërkohë theksoi se mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet të kufizojë konsolidimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Levits: I rëndësishëm bashkëpunimi Kosovë-NATO
“Është e rëndësishme që të fuqizojmë bashkëpunimin mes Kosovës dhe NATO-s. Si hap i parë së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe dhe mendoj se tani është koha e duhur për të bërë këtë hap të mirë. Varet nga NATO, pasi ajo është që do të vendosë rreth kësaj. Është shumë e rëndësishme që fuqizohet bashkëpunimi për kyçje të Kosovës në NATO. Letonia është duke e përkrahur këtë hap”, tha ai.
Levits tha se Kosova është një shtet demokratik që bazohet në sundim të ligjit, rrjedhimisht, sipas tij e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Levits: E mirëpresim aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës
“Është e domosdoshme po ashtu që të integrohet Kosova në organizata ndërkombëtare dhe forume. Po e përmendi këtu para se gjithash Këshillin e Evropës, i cili është një organizatë e shteteve të demokratike që bazohen në sundimin e ligjit. Kjo do të thotë se Kosova i përket familjes dhe Këshillit të Evropës, pasi është një shtet demokratik që bazohet në sundim të ligjit. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës… Letonia është duke e mbështetur Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, tani nuk ka më pengesa të arsyeshme që mos të jepet liberalizimi i vizave”, shtoi ai.
Gjatë vizitës zyrtare të tij në Kosovë, presidenti letonez tha se dialogu me Serbinë nuk duhet të jetë pengesë për integrimin më tutje të Kosovës në kornizat evropiane.
Levits: Dialogu nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën
“Nëse nuk kemi një progres të madh nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtimin dhe raportet e tjera. Prandaj dialogu Kosovë është i rëndësishëm, por nëse nuk ka progres duhet shohin mënyrat se si Kosova të integrohet më tutje në kornizat evropiane”, theksoi Levits.
Nga ana tjetër, tha se e çmojnë progresin që ka arritur Kosova vitin e fundit në luftimin e korrupsionit.
Levits: Çmojmë progresin që Kosova e arriti gjatë vitit të fundit në luftimin e korrupsionit
“Çmojmë progresin që Kosova e arriti gjatë vitit të fundit në luftimin e korrupsionit duke zbatuar edhe masat e ndryshme të sundimit të ligjit. Po ashtu ne kemi vërejtur se viti i kaluar ishte shumë i suksesshëm në këtë drejtim”, deklaroi ai.
Mes tjerash ai tha se Kosova i përket Evropës dhe duhet të bëhet integrimi i plotë i saj në të gjitha mekanizmat evropiane. Ndërkohë theksoi se për integrim në BE, gjitha shtetet aspiruese duhet t’iu përshtaten politikave të BE-së. /KosovaPress/