​Kurti: Integrimi i rajonin tonë në BE dhe NATO, i domosdoshëm për ta ruajtur paqen

Në përmbyllje të Forumit Ekonomik të Delfit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në drekën e shtruar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Në drekë ishin të pranishëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryetari i Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Sipas një komunikate të Qeverisë, gjatë drekës u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe për ndihmën që të gjithë duhet t’i japim popullit ukrainas.

Në veçanti u diskutua për luftimin e korrupsionit, demokratizimin dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan.

Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Që në fillim të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, Kosova dhe populli i saj e kanë dënuar dhe janë bashkuar me botën demokratike, në përkrahje të luftës çlirimtare të popullit të Ukrainës”, tha kryeministri Kurti. Qeveria e Republikës së Kosovës për të ndihmuar popullin ukrainas ka ofruar strehim për 5.000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas.

Read Previous

Një rrugë në Nju Jork emërtohet “Fan Noli”

Read Next

Lajmet e rreme mbi sigurinë në Kosovë, kolonel Isufi: Nuk ka vend për asnjë shqetësim