Ka disa ditë që kjo kabllo po rri e varur, edhe shtylla e ndriçimit publik është shtrembëruar. Kjo po e vështirëson qarkullimin e qytetarëve në parkun kryesor të qytetit, teksa disa fëmijë të pavetëdijshëm për pasojat, po e tërheqin edhe më shumë kabllon, duke e rrezikuar edhe veten e tyre.
Drejtori i shërbimeve publike Shkumbin Kastrati tha se këto kabllo të cilat janë të rrjetit kabllor kanë qenë obligim i kompanisë së kontraktuar të cilat kanë operuar si biznese në park gjatë festave të fundvitit.
Mirëpo ai shtoi që i tërë ndriçimi publik do të vendoset i ri brenda dy javëve.
Kastrati gjithashtu apeloi te qytetarët që të mos e dëmtojnë pronën publike pasi është investim i të gjithë taksapaguesve.
Gjatë ditës komuna dërgoi një ekip për rregullimin emergjent të shtyllës dhe kabllos përkundër që nuk është obligim i komunës, rregullimi i tyre në tërësi do të bëhet ditëve në vijim, theksuan zyrtarët nga komuna.