Nga 47 institucione arsimore që janë në komunën e Gjakovës prej tyre të pajisura me biblioteka janë 16 shkolla. Një gjë e tillë u mundëson nxënësve të marrin lektyrat që dëshirojnë brenda objektit të shkollës dhe t’i lexojnë. Mirëpo jo për të gjithë nxënësit kjo është e mundur. Ndonëse dëshira për të lexuar nuk u mungon nxënësve të shkollës ‘’Pjetër Muqaj’’ në Guskë, pengesa është se kjo shkollë nuk ka bibliotekë e madje as një kënd leximi.
Në klasë nuk gjetëm asnjë lektyrë për lexim që nxënësit mund ta lexojnë në kohë të lirë. Ata kërkojnë që ta kenë të paktën këndin e leximit.
Por jo me të njëjtin fat janë nxënësit e shkollës ‘’Selman Riza’’ në paralagjen Dardania. Këtu ka bibliotekë e cila është e pasur me tituj të shumtë të librave dhe lekturave shkollore. Drejtori Gjok Osmani na tregoi më tepër për titujt që posedon bibiloteka e shkollës dhe interesimin që kanë nxënësit për lexim.
Ndërkaq në shkollën ‘’Zekeria Rexha’’ u njohëm nga afër me planifikimin e punës në biblioteka për vitin shkollor 2021-2022. Bibliotekistja Marigona Doli u shpreh se nxënësit janë mjaft të interesuar mirëpo titujt që ka biblioteka nuk u përgjigjen plotësisht kërkesave të nxënësve.
Shoqëria në përgjithësi, strukturat qeveritare dhe institucionet duhet të sigurojnë qasje për të gjithë, pa dallim moshe e gjinie. Bibliotekat publike dhe ato shkollore kanë rol të theksuar në procesin arsimor thonë bibliotekistët.