Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova nuk shantazhon dhe as përgjëron Bashkimin Evropian, por dëshiron ta meritojë integrimin në BE. Në takimin e shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim, BE – Kosovë, kryeparlamentari Konjufca tha se BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne as nuk e shantazhojmë BE-në dhe as përgjërojmë, ne duam ta meritojmë BE-në me punë, reforma dhe angazhim konkret për drejtësi dhe barazi”, tha Konjufca.
Konjufca tha se pika më kritike e kredibilitetit të BE-së ka të bëjë me strategjinë e zgjerimit.
“BE-ja nuk është e plotë pa përfshirjen e Kosovës dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Pika më kritike e kredibilitetit të BE-së ka të bëjë me strategjinë e zgjerimit. Sa më shumë që zgjerimi iu ka afruar Ballkanit aq më shumë iu është ngadalësuar zgjerimi. U bënë 8 vite nga koha kur shteti i fundit iu bashkua BE-së. Nuk mbajë mend se konceptimi i zgjerimit të ketë qenë në krizë aq të thellë sa është sot. Mungesa e një vizioni të guximshme dhe të qartë po i prodhon dy pasoja të rrezikshme këto vitet e fundit. Së pari krijimin e një hapësire për projektet alternative që vijnë nga bota jo demokratike të cilat ne i refuzojmë, kryesisht nga Rusia dhe Kina. Së dyti fuqizimin e liderëve euro skeptik në rajon të cilët BE-në e shohin si një projekt pa perspektivë dhe ngarendin ta përmbyllin agjendën etno nacionaliste, siç po i shohim zhvillimet e fundit në Bosnje. Këto dy projekte ndalen me dy projekte të qarta me moton, zgjerim dhe thellim. Në anën tjetër BE-ja nuk i ka dalë zot Kosovës për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, shtoi Konjufca.