Dyert e Spitalit të Pediatrisë “Sheikha Fatima” në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, janë të mbyllura.
Inaugurimi i këtij spitali u bë 51 ditë më parë, por shërbimet pediatrike e kirurgjike nuk janë duke u ofruar ende.
Në një përgjigje të MSH thuhet se për të filluar ofrimi i shërbimeve, Ministria dhe Shërbimi Spitalor, duhet bërë një plan veprimi që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi në këtë spital.
“Në shtator është bërë pranim – dorëzimi ceremonial i objektit të Spitalit të ndërtuar nga fondet e Emirateve të Bashkuara Arabe, derisa për fillimin e shërbimeve MSh dhe ShSKUK duhet bërë një plan veprimi që parasheh funksionalizimin e çdo shërbimi të paraparë në këtë spital, në përputhje me infrastrukturën e tij dhe resurset njerëzore që duhet angazhuar aty”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë.
MSh gjithashtu sugjeron se “për më shumë detaje, mund të bisedoni me njësinë implementuese në ShSKUK”, ndërsa nga Shërbimi Spitalor thonë se përgjegjësinë për këtë Spital e bartë Ministria e Shëndetësisë.
Punimet për ndërtimin e këtij spitali filluan në mars të vitit 2016 dhe ka vlerën rreth 22 milionë euro.
/Kallxo.com/