Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve të largojnë barrikadat pas reciprocitetit për targat e automjeteve të Serbisë, duke thënë se personi i vetëm që dëshiron incidente është presidenti Aleksandër Vuçiq.
Para mbledhjes qeveritare, Kurti tha se vendimi për reciprocitet është ligjor dhe i duhuri. Ndërkohë tha janë të hapur për bisedime, por vetëm duke respektuar ligjin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës.
“Vendimi për targat e përkohshme është i drejtë dhe garanton të drejtat për lëvizjen e lirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe qytetarët serbë gjithandej në Kosovë, përmes pajisjes me targa të përhershme të Kosovës. Përgjigjja pozitive e këtyre ditëve nga qytetarët tanë, përfshirë edhe serbët lokalë tregon më së miri gatishmërinë e tyre për të respektuar vendimin dhe siguruar lëvizjen e lirë. Jam i njoftuar se pengesat që shpien në dy pikat kufitare janë duke u bërë me disa kamionë që janë pronë e institucioneve komunale, kjo përbën shkelje dhe keqpërdorim të pronës publike. Ftoj kryetarët e komunave në veri të Ibrit që të tërheqin automjetet e institucioneve komunale nga rruga dhe ftoj po ashtu grupin e organizuar të qytetarët serb të largohen nga rrugët regjionale, pasi kështu ata kanë bllokuar vetveten dhe lëvizjen e tyre. Vënia e ligjshmërisë në vend është interes i të gjithëve dhe nuk është kundër askujt”, tha Kurti.
Një gjë të tillë, kreu qeveritar tha se ia ka bërë të qartë edhe zyrtarëve të lartë në BE, rrjedhimisht edhe ofertën për largimin të tërësishëm të tabelave të përkohshme si nga Serbia, ashtu edhe nga Kosova.
“Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë, nuk ka interes për destabilizim as Serbia, duket që vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese, e ky është presidenti i Serbisë. Ne jemi për bisedime dhe dialog, ia kemi konfirmuar këtë gjë edhe Brukselit si përfaqësuesit të lartë, Josep Borrell, gjithashtu edhe përfaqësuesit të tij për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun, zotëri Lajçak. Ne ua kemi konfirmuar atyre se jemi të hapur dhe gatshëm që të bisedojmë sepse jemi praktikë dhe pragmatikë. Por pragmatizmi ynë kufizohet nga ligji dhe kushtetutshmëria e Kosovës. Edhe oferta jonë publike është praktike, kjo është le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia dhe Kosova dhe këtë mënyrë qytetarët të qarkullojnë sa më shumë dhe sa më pak vonesa”, tha ai.
Duke folur për gjashtëmujorin e marrjes së detyrës, kryeministri Kurti u mburr me procesin e vaksinimit në vend, duke thënë se Kosova e filloi e fundit vaksinimin, derisa tash është e dyta në Ballkan.
“Në mesin e shumë problemeve që ishin grumbulluar me dekada më urgjentja ishte menaxhimi i pandemisë. Të nesërmen kur morëm detyrën më 23 mars nuk gjetëm asnjë vaksinë dhe për më keq asnjë kontratë të negociuar për sigurimin e tyre. Ndërkaq sot që flasim i kemi siguruar 2.2 milionë vaksina dhe janë administruar 1.2 milion sosh. Bazuar në planin që kishim para ardhjes në qeveri dhe të dhënat që kemi sot, ku gati 60 për qind e këtyre grup moshave të paktën kanë një dozë, jemi në rrugë të duhur për të realizuar atë plan para kohe dhe tejkaluar atë. Vaksinimin e filluam të fundit në rajon dhe refuzuam të marrin vaksina që nuk ishin të aprovuara nga ShBA dhe BE, derisa sot jemi të dytën në Ballkan duke lënë prapa 5 shtete”, tha ai.
Në 6 muaj qeverisje, kreu qeveritar tha se kanë marrë 260 vendime qeveritare.