​Veliu: Vendimin për mos vazhdimin e regjistrimit të targave në KS, e kam nënshkruar në shtator 2020

Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ka reaguar pas vendimit për targa të automjeteve të Serbisë, duke thënë se për mos vazhdimin e regjistrimit me targa KS ishte nënshkruar nga vetë ai qysh në vitin e kaluar.

Veliu në një postim në Facebook ka shkruar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës vjen si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 14 shtator 2016 për lëvizjen e lirë Kosovë-Serbi.

“Vendimi i sotëm i MPB për vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve është zbatim i vendimit, të cilin në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme e kam nënshkruar më 17.09.2020, për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ Nr.02/2018 për Regjistrimin e Automjeteve me Targa KS. Krahas implementimit të vendimeve të marra nga Qeveria e kaluar, lajm i mirë është se Qeveria aktuale po i njeh marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në kohën e Qeverisë Hoti. Detyrë dhe obligim parësor i të gjithë neve është ruajtja e subjektivitetit shtetëror dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Veliu.

Ndryshe, serbët kanë protestuar sot në veri kundër vendimit për targat serbe, duke bllokuar rrugët. Kjo ka zgjuar edhe reagime në Beograd, ku presidenti Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se nesër do të diskutojnë për masa shtesë. Ndërkohë BE dhe SHBA u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet dhe të punojnë në krijimin e një atmosfere që do të ndihmonte lirinë e lëvizjes.

Read Previous

Gjërat që duhet të bëni, para se ta dorëzoni telefonin që sapo e keni shitur

Read Next

Koha e saktë se kur duhet të flini, për t’u zgjuar energjikë në mëngjes