Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia tha të hënën se shëndeti i fëmijëve dhe i nënave do të jetë gjithmonë prioritet i Qeverisë aktuale të Kosovës, andaj u bëri thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
“U bëj thirrje edhe njëherë qytetarëve të vendit që të vaksinohen kundër COVID-19, në mënyrë të veçantë u bëj thirrje prindërve të fëmijëve të moshës 12-15 vjeç me probleme shëndetësore, si dhe grave shtatzëna të vaksinohen, sepse kjo është rrugë e duhur për t’u mbrojtur nga virusi dhe për të frenuar përhapjen e mëtejmë të tij”, tha Vitia gjatë ceremonisë së inaugurimit të Spitalit të Fëmijëve, që është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Thirrja e ministrit Vitia për vaksinim vjen në ditën kur në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja kundër koronavirusit, të cilat do të zgjasin deri më 26 shtator.
Ndër masat kryesore janë pezullimi i procesit mësimor deri më 26 shtator të nivelit parauniversitar, përfshirë edhe nivelin parashkollor dhe qëndrimin ditor si dhe paraqitja e dëshmisë së vaksinimit apo tekstit kundër COVID-19, për të marrë pjesë në një sërë ngjarjesh.
/GazetaExpress/