Në mbledhjen e sotme urgjente te Qeverisë, ku është debatuar lidhur me ngjarjen e mbrëmshme ku për pasoj mbetën të vdekur 14 persona dhe 12 të tjerë të lënduar, është marrë vendim që të shpallet 3 ditë zie në gjithë territorin e vendit.
Po ashtu është bërë e ditur që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka pranuar një ofertë nga vendet aleate për të siguruar ekspertë të huaj për të hetuar shpërthimet dhe zjarret.
Këtë e bëjnë të ditur nga ekzekutivi pas mbledhjes së jashtëzakonshme. Ajo vendosi të pranojë ofertën e disa aleatëve të NATO-s për të dërguar në vend ekspertë të nivelit më të lartë të ekspertizës në hetimet e zjarreve që të ndihmojnë në përcaktimin e shkaqeve të zjarrit në qendrën modulare të COVID-19 në spitalin në Tetovë.
“Në këtë drejtim, Qeveria miratoi një përfundim me një rekomandim që ekipet e ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë të vihen në dispozicion maksimal të prokurorisë në procedurat hetimore. Qeveria udhëzoi institucionet kompetente që të përcaktojnë se çfarë lloj ndihme dhe mbështetje shtesë nevojitet për familjet e të vdekurve dhe të plagosurve, në mënyrë që ajo të ofrohet në kohën më të shkurtër të mundshme”, thonë nga Qeveria.
Sot, nesër dhe pasnesër (e enjte, e premte dhe e shtunë) është shpallur ditë zie dhe gjatë ditëve të zisë flamuri i Republikës së Maqedonisë Veriore do të ngrihet në gjysmështizë.
Paraprakisht edhe Komuna e Tetovës pas mbledhjes së Shtabit të krizës, njoftoi shpalljen e 3 ditë zie në Tetovë.
/KlanKosova.tv/