Ministria e Shëndetësisë po synon që gjatë shtatorit të tejkalojë numrin e 400 mijë dozave të vaksinës antiCOVID të administruara, duke vazhduar me planin e njëjtë të vaksinimit në masë, në bazë të të cilit nga qershori kanë punuar ekipet e vaksinimit në gjithë Kosovën.
Mbi gjysmë milioni vaksina kanë ardhur të hënën donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq tani në dispozicion në Kosovë janë mbi 600 mijë vaksina anti-COVID.
Nga fillimi i vaksinimit e deri më tani 57 ekipe mobile dhe 314 ekipe nëpër Qendra të Vaksinimit, kanë dhënë mbi 900 mijë doza të vaksinave nëpër komunat e Kosovës, ndërkaq edhe pas ardhjes së vaksinave Ministria e Shëndetësisë synon që të vazhdojë me planin e njëjtë, atë të vaksinimit në masë.
Në një përgjigje për Telegrafin, nga Ministria e Shëndetësisë, kanë deklaruar se nga qershori procesi po zhvillohet sipas Planit të veprimit për vaksinim në masë kundër COVID-19.
Sipas MSH-së, ky plan është real dhe i zbatueshëm pasi vetëm gjatë muajit gusht janë dhënë mbi 400 mijë doza të vaksinës, shifër kjo që MSH-ja synon ta arrijë, apo edhe ta tejkaloj në shtator.
“Që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 ky proces është bazuar në Planin Shtetëror të vaksinimit, ndërsa nga qershori e këtej procesi zhvillohet sipas Planit të veprimit për vaksinimin në masë kundër COVID-19. Mbi 400 mijë doza të administruara të vaksinës kundër COVID-19 vetëm gjatë muajit gusht janë tregues se plani është real dhe i zbatueshëm. Gjatë shtatorit projeksioni është që të arrihet prapë një shifër kaq e lartë e dozave të administruara apo edhe të tejkalohet”, thuhet në përgjigjen e MSH-së
/Telegrafi/