Policia e Kosovës njofton se janë arrestuar pesë persona pasi që të njëjtit nuk kanë respektuar masën e vetizolimit që e obligon vendimi i Qeverisë.
“Më datë 05.09.2021, rreth orës 13:40 në Stacionin Policor Kufitar Bernjak, nga drejtimi i Zubin Potokut ka kaluar vetura me targa të huaja, ku në veturë janë hasur pesë (5) personat M.K (1980), I.K (1982), E.K (1989), N.K (1995) si dhe J.S (2002), të cilët më datë 01.09.2021 rreth orës 15:20 në pikën e kalimit kufitar Brnjak, me rastin e hyrjes në Republikën e Kosovës janë dërguar në vetë-izolim në kohëzgjatje prej shtatë (7) ditëve sipas vendimit të Qeverisë së RKS-së për masat kundër pandemisë COVID-19″, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Në lidhje me rastin është kontaktuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që personat të kthehen në vetëizolim dhe ndaj tyre të inicohet kallëzimi penal për veprën “Mos veprim sipas rregullave shëndetësore gjatë pandemisë sipas nenit 250, KPK–së”.
Personat e dyshuar janë marrë nga stacioni policor në Prizren për tu dërguar në vetëizolim në rajonin përkatës.
Policia njofton se do të vazhdojë angazhimet e gjithanshme në parandalim të përhapjes së pandemisë, përfshirë edhe në pikat kufitare bazuar në vendimin e fundit i qeverisë për parandalimin e pandemisë./Telegrafi