Në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë janë duke u trajtuar 113 pacientë për Covid-19, prej tyre në gjendje më të rënduar shëndetësore janë 3 pacientë të cilët po trajtohen me CPAP, ndërkohë po vazhdon të jetë numri i të shëruarve më i madh se i të infektuarve. Këtë e ka konfirmuar drejtori i këtij institucioni, Hilmi Shala.
Shala tutje ka thënë se ka mjaftueshëm shtretër dhe që në rast nevoje do t’i rrisin kapacitetet. Poashtu edhe me barna esenciale dhe bazike për Covid-19 spitali qëndron mjaft mirë.
Sot kanë filluar punën edhe stafi mbështetës i angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për luftimin e pandemisë.
Përderisa në spitalin “Isa Grezda” ka filluar angazhimi i stafit mbështetës shëndetësor, një gjë e tillë ende nuk ka filluar në Qendrën e vaksinimit ”Fehmi Agani”. Mirëpo drejtoresha e shëndetësisë në komunën e Gjakovës, Afërdita Spahiu Shllaku ka thënë se në ditët në vijim pritet që edhe për këtë institucion të vijë dhe stafi mbështetës.