​90% e të burgosurve janë të vaksinuar, 28 zyrtarë korrektues të infektuar me COVID-19

Përhapja e shpejtë e variantit Delta të COVID-19 ka prekur edhe Shërbimin Korrektues të Kosovës. Aktualisht 28 zyrtarë të tij të infektuar. Së fundmi janë ndaluar vizitat në burgje, por është një i burgosur i cili ka rezultuar pozitiv me këtë sëmundje. Megjithatë, 90% prej tyre janë të vaksinuar, por edhe 95% e stafit në qendra korrektuese janë të imunizuar.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani bën të ditur për KosovaPress se pas përhapjes së madhe të virusit të variantit Delta, kanë ndaluar vizitat familjare për të burgosurit dhe fundjavat në shtëpi për të dënuarit.

Selmani thotë se 90 për qind e të burgosurve janë vaksinuar deri më tani.

Selmani: 90 për qind e të burgosurve janë të vaksinuar

“90 për qind e të burgosurve janë të vaksinuar. Hezitimi i tyre është shumë i vogël, mos të them minimal. Tash kemi vetëm një pjesë të të burgosurve që janë të pavaksinuar, ardhjet e reja meqë çdo ditë pranojmë të burgosur. Por, edhe ata janë në procedurë të aplikimit që të vaksinohen së shpejti. Ndërsa, kemi 95 për qind të stafit të të gjitha institucioneve korrektuese që veç janë vaksinuar”, deklaron ai.

Selmani tregon se numri i të burgosurve të prekur me COVID është minimal, ndërsa i zyrtarëve pak më i lartë por që shton se ë gjithë kanë gjendje stabile.

Selmani: Kemi vetëm një të burgosur të infektuar dhe 28 zyrtarë të ShKK-së

“Tani për tani kemi vetëm një rast, është vetëm një i burgosur që është me COVID-19, aktualisht po trajtohet. Dhe kemi 28 zyrtarë të Shërbimit Korrektues të cilët janë pozitiv. Por, gjendja e tyre është e mirë dhe janë duke u trajtuar jashtë spitaleve… Kjo paraqet vështirësi por nuk kemi problem në këtë drejtim sepse kemi kapacitete që të mbulojmë ato zbrazëti që ky staf lë gjatë kësaj periudhe”, bën të ditur Selmani për KosovaPress.

Gjatë këtij viti nuk ka pasur rritje të numrit të të burgosurve të cilët janë transferuar në qendrat korrektuese, megjithatë janë pranuar rreth 200 të burgosur të rinj.

/KosovaPress/

Read Previous

Pas Abdixhikut, Haradinaj propozon që fushata të shkurtohet në pesë ditë

Read Next

Inflacioni në Eurozonë arrin në 3 për qind, niveli më i lartë brenda një dekade