I dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se sot ka pasur takime dhe diskutime thelbësore me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Lajcak, për diskutime të njëjta nuk ftoi në takim homologun e Bislimit nga Serbia por zgjodhi drejtorin e së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviç.
“Sot, kam pasur diskutime thelbësore të veçanta me Zëvendëskryeministrin e Parë të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe me Drejtorin e zyrës serbe për Kosovën, Petar Petkoviç, në lidhje me përgatitjet për takimin e ardhshëm të Dialogut në nivel Kryenegociatorësh në fillim të shtatorit”, ka thënë Lajçak në rrjetin social Twitter.
Takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq pritet të mbahet në shtator.
Takimi i fundit mes tyre ishte mbajtur në korrik të këtij viti.
/GazetaExpress/