Të mërkurën është shikuar një video-incizim që kishte kapur dy persona duke ikur në rastin ku Blerim Nokaj po akuzohet për grabitjen e vitit 2013 në bastoren sportive “Eurolloto” në Gjakovë, si pasojë e së cilës kishte vdekur një person.
Pasi që në seancën e kaluar është konstatuar nga gjykata se në shkresa të lëndës të gjykatës dhe prokurorisë mungojnë CD-të e video-incizimeve, të mërkurën ato i ka sjellur zyrtari policor, Musa Asllani.
Fillimisht zyrtari policor, Musa Asllani, i cili u dëgjuar në cilësi të dëshmitarit tha se kur e kanë dorëzuar kallëzimin penal në prokurori bashkë me të i kanë dorëzuar si provë edhe CD-në me video-incizim.
Musa Asllani, i cili punon si krimteknik tha se i ka sjellur këto incizime dhe shkresa të tjera të lëndës pasi që të njëjtat i ka pasur të ruajtura në kompjuter.
Pas kësaj, në seancë është lëshuar ky video-incizim nga kamerat e pompës së derivateve “Stella” në të cilin shiheshin dy persona duke ikur aty afër pompës, i dyshuari i parë duke ikur ishte më i shkurtër, ndërsa i dyti më i gjatë dhe të dytë kishin të vendosur kaçkëta.
E në lidhje me këto video-incizime përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Teki Bokshi ka propozuar që me urdhëresë të veçantë të kërkohet nga AKF-ja në Prishtinë që ta bëjë ekzaminimin e CD-së dhe mundësisht që të bëhet qartësimi i pamjeve të personave të dyshimtë, si dhe nga Sistemi i AFIS-it në Pejë të kërkohen informata zyrtare nëse gjurmët latente që janë dorëzuar nga policia se a janë ekzaminuar të njëjtat dhe nëse po të krahasohen me gjurmët e këtu të akuzuarit.
E këto propozime të avokatit Bokshi, i ka aprovuar trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, derisa seancën e radhës tha se do ta caktojnë pasi që të marrin përgjigje nga këto institucione.
Nokaj ishte ekstraduar në Kosovë nga Italia në gusht të vitit 2020. Në Itali prezantohej rrejshëm si shtetas francez, shkruan Betimi për Drejtësi.
Ndryshe, në këtë rast, për grabitje në bashkëkryerje ka qenë i akuzuar edhe Fuat Gjevukaj, mirëpo ndaj të njëjtit Prokuroria në Gjakovë e kishte rikualifikuar veprën penale në “ndihmë në kryerjen e veprës penale të grabitjes” dhe me të njëjtin kishin lidhur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë.
E këtë marrëveshje mbi pranimin e fajësisë e kishte aprovuar Gjykata Themelore në Gjakovë, e cila kishte shqiptuar dënim prej 6 vjet e 6 muaj burgim ndaj të akuzuarit Gjevukaj.
Sipas aktakuzës së pandryshuar të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Blerim Nokaj dhe Fuat Gjevukaj ngarkohen me veprën penale “grabitje” nga neni 329, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 3.1 dhe nenin 31 të KPRK-së. Vepër kjo për të cilën parashihet dënimi me gjobë dhe me burgim prej së paku 10 vjet ose me burgim të përjetshëm.
Sipas aktakuzës, më 9 qershor 2013, rreth orës 12:10, në rrugën “Fehmi Agani” në Gjakovë, pikërisht në bastoren sportive “Eurolloto”, pronë e Nijazi Beqirit, me përdorimin e forcës për të sulmuar jetën e të dëmtuarit Flamur Ponosheci, përvetësojnë para në shumë prej 2 mijë euro.
Siç thuhet në aktakuzë, grabitja ka ndodhur në atë mënyrë që të akuzuarit kanë shkuar të luajnë në aparatin e lojërave të fatit dhe me mjet të fortë dhe të rrezikshëm e kanë goditur në kokë të dëmtuarin dhe pastaj të dytë kanë sulmuar me mjete të forta, duke e goditur disa herë në kokë, ku i dëmtuari është rrëzuar dhe ka humbur vetëdijen dhe nga xhepat e pantallonave kanë marrë të hollat dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari nga lëndimet e marra ka ndërruar jetë me 28 qershor 2013. /Gazeta Sinjali/