Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e Dardan Krivaqës, i dyshuar për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj, ndërkaq qytetarët po mundohen t’i dalin në ndihmë organeve shtetërore për kapjen e tij.
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, ku shihet një person që tenton të arratiset, dyshohet se është pikërisht Krivaqa.
Nga Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt kanë thënë për Telegrafin se dyshohet se në këtë video e cila sipas tyre është bërë dje (të hënën), është i dyshuari të cilin Policia e Kosovës e ka kërkuar mbrëmë në tërë zonën.
Banorët e lagjes ku dyshohet se u vra 18-vjeçarja në Ferizaj, e kanë telefonuar mbrëmë policinë rreth orës 20:30 minuta, duke thënë se e kanë parë të dyshuarin Dardan Krivaqa të ulur shkallëve të oborrit të kësaj lagjeje.
Policia ka shkuar me patrulla dhe njësitë e shtuara, por raportohet se ai kishte arritur të ikte.
Ndërtesat janë kontrolluar për ta kërkuar të dyshuarin, për të cilin banorët thanë se e ka ndryshuar pamjen duke i prerë flokët dhe se ka tentuar që të fshihet me një bluzë me kapele që t’i evitohet banorëve të kësaj lagjeje.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj kërkon bashkëpunim nga qytetarët, për identifikimin dhe vendndodhjen e personit Dardan Emrush Krivaqa, i cili dyshohet për “Vrasje të rëndë” në Ferizaj.
Vrasja e rëndë, ka ndodhur dje më 22.08.2021 në Ferizaj, ku humbi jetën 18 vjeçarja M.O.
“I njëjti, i dyshuari deri më tani nuk është paraqitur në polici dhe është në arrati. Personi i kërkuar është Dardan (Emrush) Krivaqa, lindur më 25.08.1992, adresa rr ‘Ramadan Rexhepi’, Ferizaj”, thuhet në komunikatë./EO/
Policia kërkon nga qytetarët që kushdo që ka ndonjë informacion rreth këtij personi dhe vendndodhjen e tij të lajmërojnë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë : 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406.
Të dhënat thuhet se do të jenë në konfidencialitet të plotë.
Videon mund ta gjeni më poshtë: