Në hapësirat e këtij objekti të Qendrës së Mjekësisë Familjare “Ereniku” në Gjakovë, së shpejti do të trajtohen pacientët me simptoma të lehta të virusit Covid-19. Këtë e ka konfirmuar Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Afërdita Spahiu Shllaku e cila ka thënë se aktivizimi i kësaj qendre do të bëhet brenda kësaj jave.
Meqenëse ditëve të fundit me rritjen e rasteve pozitive është vërejtur edhe numër i madh i pritjeve për imunizim në qendrën e vaksinimit “Fehmi Agani”, Spahiu Shllaku nuk e ka mohuar mundësinë e hapjes së qendrave të reja të vaksinimit në mënyrë që të mos shkaktohen radhë të gjata të qytetarëve.
Një prej qendrave të mjekësisë familjare ku më herët janë trajtuar pacientët me Covid-19 ka qenë QMF “Emin Duraku” por e njëjta tashmë është e mbyllur dhe në të nuk praktikohet një veprimtari e tillë pasi që stafi i kësaj qendre ka kaluar në objektin e ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.