Pique e fajëson shortin me ‘hedhje të monedhës’ për humbjen e Spanjës

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique beson se nuk është e drejtë që me anë të hedhjes së monedhës të përcaktohet se kush do të gjuajë penalltinë e parë, duke pasur parasysh që ata që gjuajnë të parët zakonisht fitojnë.

Italia rezervoi një vend në finalen e Euro 2020, duke mundur Spanjën me penallti në gjysmëfinalen e zhvilluar në Stadiumin Wembley në Londër.

Federico Chiesa zhbllokoi rezultatin duke e çuar Italinë në epërsi 1-0, por Alvaro Morata barazoi rezultatin 1-1 në minutën e 80-të, duke dërguar ndeshjen në kohën shtesë dhe më pas në penallti.

Italia gjuajti e para me Manuel Locatellin, i cili humbi penalltinë e tij, por, për fat të mirë për Azzurrët, Dani Olmo dërgoi goditjen e tij mbi traversë.

Sidoqoftë, mbrojtësi i Barcelonës, Pique beson se Italia kishte epërsinë ndaj kombëtares La Roja pasi ata gjuajtën të parët, duke fituar shortin në hedhjen e monedhës.

“Nuk është rastësi që në katër ndeshje në Euro 2020 dhe Copa America fituan skuadrat që gjuajtën të parat penalltitë”.

“Statistikat thonë se kush gjuan i pari ka më shumë mundësi dhe në një turne si ky, nuk më duket e drejtë që një hedhje monedhe të bën të fillosh me një disavantazh”, shkroi Pique në Twitter.

Morata humbi penalltinë vendimtare për Spanjën, ndërsa Jorginho ishte kirurgjikal nga vendi dhe dërgoi Azzurrët në finalen e madhe.

Në finale, Italia do të përballet me Anglinë ose Danimarkën në Stadiumin Wembley të dielën më 11 korrik. /Telegrafi/

Read Previous

Vdes 13 vjeçari në Gjakovë

Read Next

Komuna nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Odën e Hotelierisë dhe Turizmit