Opozita në Gjakovë e quan djegien e mbeturinave “Zjarri i tenderave”

Edhe gjatë ditës së sotme ka vazhduar aksioni për shuarjen e zjarrit në deponin e mbeturinave në lagjen “Ali Ibra” në qytetin e Gjakovës. Brigada e zjarrëfikësve ka arritur që të lokalizoj zjarrin por tymi vazhdon ende të jetë prezent vo vetëm këtu por edhe në hapësirën përreth.Për djegien e këtyre mbeturinave kanë reaguar partitë politike Vetëvendosje dhe Alternativa. Ali Tafarshiku tha se gjendja e tanishme ka ardhur si pasojë e  mosfunksionimit të zingjirit institucional.

Dihet se vendosja e këtij lokacioni për deponi dhe reciklim të mbeturinave është nga qeverisja e kaluar, por sipas Tafarshikut qeverisja aktuale e ka ndërprerë këtë procedurë.

Në anë tjetër Mimoza Shala nga Vetëvendosje tha se djegia e mbeturinave është diskutuar edhe në mbledhjen e 20 korrikut të vitit 2020 ku është votuar një rezolutë përmes së cilës është kërkuar që të bëhet pastrimi I kësaj zone.

Shala tha se një gjë e tillë po bëhet vetëm për tendere.

Ne u interesuam të marrim deklaratë edhe nga kryetari i komunës Ardian Gjini I cili ka thënë për televizionin Syri se vitin e kaluar Ministria e Mjedisit pati ndarë 400 mijë euro për pastrimin e stacionit transfer. Me këtë mjete janë larguar mbi 8 mijë metër kub mbeturina. Dhe tani kanë mbetur vetëm 20% të mbeturinave që do të largohen në ditët në vijim. Tutje Gjini ka shtuar se kjo temë tashmë është edhe subjekt i hetimeve penale dhe kriminale, pasi ekzistojnë dyshime se zjarrvënja ka qenë e qëllimshme.

Andaj policia e Kosovës dhe organet e hetuesisë janë në veprim me ekipe shtesë, Me ç’rast po bëhet hetimi dhe vënia para drejtësisë e fajtorëve dhe zjarrvënësve.Për më shumë se 30 vjet kjo lagje është në këtë gjendje andaj pastrimi i mbeturinave do të trajtohet me shumë seriozitet, ka thënë Gjini. Përndryshe kjo dukuri është një problem që prej vitesh nuk po gjen zgjidhje. Pas angazhimit të të gjitha njësive të cilat janë të inkorporuara në pastrimin e kësaj zone qytetarët mbesin me shpresën se këtij kaosi mjedisor t’i vjen fundi dhe njëherë e përgjithmonë kjo pjesë e qytetit të shndërrohet në një zonë gjelbëruese.

Read Previous

Ganimete Musliu kërkon shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj

Read Next

86 pacientë po trajtohen në SHSKUK