Në nder të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Gjakovës pikërisht 22 vjet më parë, kryetari i Komunës, Ardian Gjini me bashkëpunëtorë dhe veteranë të UÇK-së fillimisht bënë homazhe tek Lapidari “Shokët e Lirisë”. Në këtë ditë të veçantë krenarie, homazhe u bënë edhe tek shtatorja e heroit Agron Rama. Nga këtu të gjithë bashkarisht nderuan të rënët e lirisë dhe vendosen buqeta me lule edhe tek varrezat e dëshmorëve të komunës sonë. Me këtë rast i pari i komunës uroi qytetarët për këtë datë të shënuar si dhe tha që 14 qershori mbetet njëra prej ditëve më të gëzuara dhe më të rëndësishme për Gjakovën, prandaj për këtë respekti dhe nderi duhet t’u kushtohet pikërisht të gjithë atyre që e mundësuan një ditë të tillë.
Sakrifica e UÇK-së dhe kontributi i Natos-s është vepër madhështore që nuk harrohet kurrë thanë luftëtarët e lirisë.
Edhe sot pranë varreve të dëshmorëve e heronjve qëndronin familjarët të cilët vazhdojnë të kujtojnë më të dashurit e tyre si guximtarë dhe sypatrembur. Luljeta, nëna e heroit Permet Vula tha se këto ditë përmbajnë në vete emocione të përziera, por mbi të gjitha ndihen krenar për veprën sublime.
Më tej vazhduan me nderime edhe në varrezat e martirëve në kompleksin memorial në fshatin Meje. Duke kujtuar kontributin dhe sakrificën e madhe që populli ynë e ka dhënë për këtë ditë, kryetari Gjini bashkarisht me zyrtarët komunal dhe përfaqësuesit e OVLUÇK-së bënë homazhe edhe te varrezat e martirëve në kodrën e Çabratit. Nga këtu familjarët thanë se kontributi i gjithë atyre që flijuan jetën për liri duhet të shpërblehet me punë dhe përgjegjësi nga institucionet e vendit.
Të ashpra ishin ato ditë të fillimit të qershorit të ’99-tës në qytetin e Gjakovës por motivi që i bashkoi luftëtarët e UÇK-së ishte më i madh se gjithçka tjetër. Këtë vend së bashku do ta bëjmë më të mirë sepse kështu deshën të gjithë që dhanë më të shtrenjtën jetë për lirinë e Kosovës.