Rastet kur Policia e Kosovës has në personat që mbajnë armë pa leje janë në rritje e sipër dhe kjo vazhdimisht e cenon sigurinë e qytetarëve të vendit si dukuri negative.
Një rast i tillë ka ndodhur në fshatin Bresje të Fushë Kosovës, ku Policia ka shoqëruar në stacion një të mitur, nxënës i shkollës fillore, pasi që të njëjtit iu është gjetur një shufër metali.
Po ashtu, një rast tjetër ka ndodhur dje në lagjen Veternik, ku Policia i ka gjetur një personit një armë me 9 fishekë.
Sinjali mëson se tri raste të tjera të armëmbajtjes pa leje janë raportuar po ashtu në Prishtinë. Njëri rast ka ndodhur në rrugën “Naman Sheqiri”, ku një personi iu është gjetur në shtëpi një armë me gaz, dy karikatorë dhe katër fishekë.
Ndërsa, në rrugën “Zija Shemsiu”, Policia i ka gjetur një të mituri një fishek të armës së zjarrit.
Derisa në rrugën “Zagrebi”, është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti e kishte marrë një armë zjarri nga shtëpia e tij dhe e kishte fshehur diku. I dyshuari është dërguar në mbajtje.
Kurse rasti tjetër ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku Policia ka arrestuar tre të dyshuar, pasi që të njëjtit kanë publikuar video-incizim duke ekspozuar armë./Gazeta Sinjali/