Murali i Nënë Terezës vendoset përkohësisht në një objekt në sheshin “Zahir Pajaziti”
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar nga një muaj paraburgim për tre të pandehurit, E.B., M.C. dhe R.S., të dyshuar për vepra penale që lidhen me trafikimin me njerëz dhe ofrimin e shërbimeve seksuale nga viktimat e trafikimit.
Rasti ka të bëjë me dy të mitura, ndërsa në mesin e të dyshuarve është edhe nëna e tyre.
Sipas njoftimit të Gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut të arratisjes, ndikimit të mundshëm te të dëmtuarat dhe përsëritjes së veprave penale.
Gjykata ka bërë të ditur se e dyshuara E.B. dyshohet se, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin prindëror, ka mundësuar shfrytëzimin seksual të vajzave të saj të mitura në këmbim të parave ose përfitimeve të tjera materiale. /Gazeta Express
Njoftimi i plotë:
Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve E.B, M.C dhe R.S.
Prishtinë, 28 Nëntor 2026 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehures E.B. për shkak të veprës penale Trafikimi me njerëz nga neni 165, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të pandehurit M.C. për shkak të veprës penale Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit nga neni 228, paragrafi 7 lidhur me paragrafin 4 dhe 1 të KPRK-së dhe të pandehurit R.S. për shkak të veprës penale Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit nga neni 228, paragrafi 6 lidhur me paragrafin 4 dhe 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve E.B., M.C. dhe R.S., duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, për secilin.
Gjykata, pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, ka vlerësuar se në rastin konkret caktimi i kësaj mase është i nevojshëm dhe i përshtatshëm, pasi ekziston rreziku real që të pandehurit, nëse lihen në liri, të arratisen dhe t’i shmangen ndjekjes penale, duke pasur parasysh peshën dhe dënueshmërinë e lartë të veprave penale, si dhe mënyrën e kryerjes së tyre ndaj dy të dëmtuarave të mitura.
Po ashtu, Gjykata vlerëson se ekziston rreziku që të pandehurit të ndikojnë tek të dëmtuarat e mitura dhe në këtë mënyrë të pengojnë zhvillimin e papenguar të procedurës penale. Në këtë drejtim, janë marrë parasysh edhe rrethanat që lidhen me moshën e të pandehurve, përkatësisht 67 dhe 70 vjeç, si dhe natyra e veprimeve për të cilat dyshohen.
Gjithashtu, ekzistojnë rrethana konkrete që tregojnë rrezikun real dhe të arsyeshëm të përsëritjes së veprave penale, veçanërisht duke pasur parasysh se e pandehura E.B., duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin prindëror, dyshohet se ka ndërmarrë veprime të kundërligjshme, duke mundësuar shfrytëzimin seksual të të dëmtuarave të mitura – vajzave të saj, në këmbim të parave apo përfitimeve të tjera materiale.
Prandaj, Gjykata konsideron se masa e paraburgimit është e domosdoshme për të parandaluar rrezikun e arratisjes, ndikimin tek të dëmtuarat dhe përsëritjen e veprave penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

