U caktohet nga një muaj paraburgim katër të arrestuarve në rastin e Arlinda Zekajt
Strobe Talbott, ish-gazetar i revistës “Time”, ish-zëvendëssekretar i Shtetit në administratën e presidentit amerikan Bill Clinton dhe ish-president i Institutit Brookings, ka vdekur të enjten në moshën 80-vjeçare.
Vdekjen e tij e ka konfirmuar djali, Devin Talbott, i cili bëri të ditur se ai ndërroi jetë në paqe, pas një sëmundjeje të gjatë, në shtëpinë e tij në East Hampton, në Nju Jork.
Talbott ishte një prej figurave të rëndësishme të diplomacisë amerikane në vitet ’90, veçanërisht në raportet me Rusinë dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, por edhe në procesin diplomatik që çoi drejt përfundimit të luftës në Kosovë në vitin 1999.
Në cilësinë e zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, ai ishte i dërguari kryesor i administratës së Clintonit në Rusi dhe luajti rol të rëndësishëm në negociatat diplomatike për përfundimin e luftës në Kosovë.
Së bashku me presidentin finlandez Martti Ahtisaari dhe të dërguarin e posaçëm rus Viktor Chernomyrdin, Talbott kontribuoi në finalizimin e kushteve të paqes, të cilat u pranuan nga presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq më 3 qershor 1999. Ky proces hapi rrugën për Marrëveshjen e Kumanovës dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.
Talbott kishte studiuar në Universitetin Yale dhe në Universitetin e Oksfordit, ku kishte qenë bashkëbanues me Bill Clintonin. Karrierën profesionale e nisi në revistën “Time”, ku punoi për 21 vjet, duke u angazhuar kryesisht në çështjet e marrëdhënieve sovjeto-amerikane dhe politikës së jashtme.
Në vitin 1994, ai iu bashkua Departamentit amerikan të Shtetit, ku më pas u emërua zëvendëssekretar i Shtetit. Gjatë mandatit të tij, ai udhëhoqi qasjen e administratës amerikane ndaj Rusisë dhe vendeve të tjera të ish-Bashkimit Sovjetik, ndërsa në vitin 1998 ishte pjesë e negociatave mes SHBA-së dhe Indisë pas testeve bërthamore të kësaj të fundit.
Nga viti 2002 deri në vitin 2017, Talbott drejtoi Institutin Brookings, një prej organizatave më të njohura kërkimore dhe analitike në SHBA. Ai ishte gjithashtu autor i më shumë se një duzine librash, ndërsa vepra e tij e fundit, Our Founders’ Warning: The Age of Reason Meets the Age of Trump, u botua në vitin 2020.
Talbott lindi në vitin 1946 në Dayton të Ohajos. Pas vdekjes, ai ka lënë pas dy djemtë, Devin dhe Adrian, njerkën Rebecca Ascher-Walsh, si dhe tetë nipër e mbesa.

