Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se çështja e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, nuk përfaqëson një rast të izoluar, por është dëshmi e korrupsionit transnacional dhe lidhjeve mes zyrtarëve të lartë politikë, diplomatëve dhe sipërmarrësve.
Gjatë promovimit të librit të Alfred Lelës, “McGonigal – Historia e agjentit të FBI-së në Tiranë”, Berisha e cilësoi korrupsionin transnacional si një fenomen për të cilin shqiptarët po paguajnë një çmim të lartë.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi se McGonigal nuk duhet parë thjesht si një individ, por si përfaqësues i një rrjeti më të gjerë zyrtarësh të niveleve të larta të ekzekutivit dhe diplomacisë.
“Por e vërteta është se McGonigali nuk është një individ. McGonigal është përfaqësues i zyrtarëve të atij niveli, shumë më të lartë se të atij niveli, të niveleve më të larta të ekzekutivit, të ish-ëve më të lartë të ekzekutivit, të diplomatëve, bashkëshorteve, bashkëshortëve të tyre. Për të qenë më konkret, nuk është më pak McGonigal Frederica Mogherini”, tha ai.
Berisha u ndal edhe te veprimi i drejtësisë amerikane ndaj McGonigalit, duke theksuar se ai është dënuar për veprimet e kryera në Shqipëri.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se opozita duhet të vijojë përballjen politike dhe të mos heshtë për atë që ai e cilësoi si gjendje të narkoshtetit në Shqipëri.
“Ne duhet të luftojmë dhe vetëm të luftojmë. Ne duhet të qëndrojmë në mbrojtje të interesit tonë kombëtar, në mbrojtje të interesit tonë publik. Ne nuk duhet kurrë të hezitojmë, të heshtim”, deklaroi Berisha.
Sipas tij qeveria e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. “Sot Shqipëria, me të gjitha të dhënat ndërkombëtare, është narkoshteti më i konsoliduar i planetit. Është më narkoshtet për sa i përket efektit të drogës në ekonomi se Kolumbia, se Brazili, se Meksika dhe se çdo shtet tjetër. Po ky narkoshtet që negocion për integrimin në BE dhe anëtar i NATO-s, të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin”, tha ai.
Berisha tha se “na mbetet të mos rreshtim së denoncuari me të gjitha mundësitë tona, të bindur se kohërat i ka të shkurtra ky regjim”. /ATSH/

