Arrestohen tre zyrtarë të gjykatave në Ferizaj e Gjakovë dhe një avokat

Katër persona janë arrestuar të martën në kuadër të një aksioni të Policisë së Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar më 24 nëntor, rreth orës 08:50, në dy lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe në bazë të urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Hetimet, të cilat kanë zgjatur për një kohë të gjatë, kanë përfshirë tre persona që dyshohet se kanë pasur pozita dhe role të ndryshme zyrtare në gjykatat e Ferizajt dhe Gjakovës, si dhe një avokat.

Sipas Policisë, të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar ndikim në proceset dhe afatet kohore të shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe në çështje të punësimit.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar katër telefona celularë, dy shtëpiza kompjuterësh dhe dokumentacion relevant për hetime.

Pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:




Arrestohen katër persona të dyshuar për ‘’Keqpërdorim të detyrës zyrtare’’, ‘’Ushtrim ndikimi, dhe ‘’Bashkëkryerja’’

Prishtinë, më 24 nëntor 2026

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit – Sektori për Hetimin e Korrupsionit (DHKEK-SHK), në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë me datë 24.11.2026 rreth ora 08:50, ka filluar me realizimin e urdhrit për kontroll nga Gjykata Themelore Prishtine, në dy lokacione te ndryshme ne rajonin e Ferizajt.

Veprimet operacionale vijnë pas hetimeve të zhvilluara për një kohe të gjatë, me ç ‘rast tre persona të dyshuar, në pozita dhe role të ndryshme zyrtare si zyrtar të Gjykatës në Ferizaj dhe Gjakovë,  si dhe një avokat, dyshohen se kanë konsumuar veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-se, “Ushtrim i ndikimit” nga neni 242 i KPRK-se dhe nga neni 31 “Bashke kryerja”, duke ushtruar ndikim ne proces-afatet kohore te shpalljes se vendimeve gjyqësore dhe çështje te punësimit.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar: 4 telefona celulare, dy shtëpiza PC, si dhe dokumentacion relevant për nevoja te hetimeve. Personat e dyshuar janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës  dhe me vendim të Prokurorit të PTH Prishtinë ndalohen për 48 orë. /tvsyrivision/

Read Previous

ATK shton kontrollet ndaj bizneseve online, evidenton 51 raste me parregullsi tatimore