Operacion policor në Prishtinë e Gjakovë, goditet një grup i dyshuar për trafikim të narkotikëve

Katër persona janë arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Taslixhe”, i zhvilluar në lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Gjakovë, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari kriminale që ndërlidhen me trafikimin e narkotikëve.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një njoftimi publik, duke bërë të ditur se operacioni është realizuar nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë.

Gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 15 kilogramë marihuanë, një sasi kokaine, para të gatshme, armë dhe municion, telefona celularë, si dhe dy vetura.

Sveçla ka deklaruar se institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe formave të tjera të kriminalitetit.

Ai ka theksuar se mbrojtja e shëndetit dhe mirëqenies së të rinjve mbetet një nga prioritetet, ndërsa ka vlerësuar se lufta kundër kriminalitetit është e përditshme dhe e palëkundur. /tvsyrivision/

Read Previous

Rrezikohet seriozisht organizimi i Lojërave Mesdhetare, kërkohet ndërhyrja urgjente e Kurtit (Dokument)