Qytetarët kërkojnë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në kryeqytet

Pavarësisht se sezoni i ngrohjes në kryeqytet ka nisur zyrtarisht, zgjerimi i rrjetit të Termokosit mbetet sfidë për disa lagje të Prishtinës.

Banorët e një pjese të lagjes “Emshir”, të cilët nuk kanë qasje në këtë shërbim, kërkojnë kyçjen sa më të shpejtë në rrjetin e ngrohjes. Nga Termokosi bëjnë të ditur se gjatë këtij viti nuk ka pasur zgjerim të rrjetit, ndërsa aktualisht janë në proces të realizimit të dy projekteve kapitale, përfshirë projektin solar.

Shumica e objekteve në lagjen “Emshir” të Prishtinës tashmë janë të kyçura në rrjetin e ngrohjes së Termokosit, ndërsa banorët e pjesës tjetër të lagjes prej kohësh presin që edhe ata të kenë qasje në këtë shërbim.

“Nuk jemi të kyçur në Termokos, distanca nja 20 metra prej nxemjes, nuk kanë mujtë për shkak të rrugës së pashtruar”, tha një banor.

“Shumë është e rëndësishme, po që 12 vjet jemi në këtë lagje, s’ka Termokos”, u shpreh një tjetër.

Banorët kanë treguar se në mungesë të ngrohjes nga Termokosi, përdorin alternativa të tjera për ngrohje, si klimat dhe kaldajat.

Ndërkohë, drejtuesit e Termokosit kanë thënë se rrjeti i ngrohjes, i cili aktualisht shtrihet në 110 kilometra dhe përfshin 886 nënstacione, pritet të zgjerohet përmes dy projekteve madhore që synojnë rritjen e kapaciteteve, furnizimin e më shumë konsumatorëve dhe uljen e ndotjes së ajrit në Prishtinë.

“Para së gjithash është projekti Solar for Kosova, i cili është afër fillimit të realizimit, është procedura tenderuese e përzgjedhjes së kompanisë punëkryese, punimeve në terren, përmes 50 megavateve shtesë që marrim nga ky projekt, përmes paneleve solare dhe për herë të parë që do të ketë një projekt inovativ në vendin tonë, do të arrijmë të përfitojnë diku 8600 konsumatorë apo njësi banesore me diku 34 mijë banorë të rinj”, tha Afërdita Uka, zëdhënëse e Termokosit.

Në kuadër të këtij projekti parashihet edhe zgjerimi i rrjetit në lagjet Tophane, Kalabria, Lakrishte, Lagjja e Muhaxherëve dhe Prishtina e Vjetër.

Sivjet, rreth 30% e qytetarëve ose mbi 25 mijë konsumatorë të kryeqytetit janë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së Termokosit. /RTK 

Read Previous

Çfarë sollën zhvillimet e fundit në negociatat për paqe në Ukrainë?

Read Next

Ardian Krasniqi fiton me nokaut