Ministria e Arsimit dhe Shkencës ndan 80 bursa për nxënësit e shkollave të mesme profesionale
Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër rrjeteve kriminale që veprojnë në të ashtuquajturin Dark Web ka përfunduar me 354 persona të arrestuar dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të drogës, armëve të zjarrit dhe parave.
Operacioni, i koduar “TorNado”, u zhvillua nga maji i vitit 2025 deri në tetor të vitit 2026, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese nga 14 shtete, ndërsa u koordinua nga Europoli.
Gjatë këtij operacioni u realizuan qindra ndërhyrje policore në vende të ndryshme të botës, me qëllim goditjen e rrjeteve të përfshira në trafikimin e drogës dhe armëve përmes platformave të fshehta të internetit.
Numri më i madh i arrestimeve u regjistrua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me 132 persona, të ndjekura nga Britania e Madhe me 59, Hungaria me 45, Gjermania me 41 dhe Franca me 23 të arrestuar.
Në Evropë, autoritetet sekuestruan pothuajse një ton substanca narkotike dhe të kontrolluara, përfshirë amfetaminë, ketaminë, MDMA, kokainë dhe kanabis.
Ndërkaq, vetëm në SHBA u sekuestruan më shumë se 4.8 tonë drogë, 152 armë zjarri dhe rreth 150 milionë euro në para të gatshme dhe kriptovaluta.
Në njoftimin e saj, Europoli theksoi se operacioni ka nxjerrë në pah aftësinë e rrjeteve kriminale për t’u përshtatur dhe riorganizuar, pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteteve.
“Operacioni nxori në pah qëndrueshmërinë në zhvillim të tregjeve të internetit të errët, të cilat vazhdojnë të përshtaten pavarësisht ndërprerjeve”, thuhet në njoftimin e Europolit.
Edhe zëvendësdrejtori i Byrosë Federale të Hetimit (FBI), Christopher Raya, vlerësoi rëndësinë e operacionit, duke theksuar se në shënjestër ishte edhe trafikimi i fentanilit dhe drogave të tjera vdekjeprurëse përmes Dark Web-it.
“Ne identifikuam shitës të mëdhenj në rrjetin e errët”, deklaroi Raya, duke shtuar se autoritetet arritën të godasin edhe figurat kryesore të këtyre rrjeteve kriminale.
Në operacion morën pjesë agjenci policore nga Australia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Dark Web është një pjesë e internetit që nuk indeksohet nga motorët e zakonshëm të kërkimit dhe mundëson komunikim anonim. Krahas përdorimeve të ligjshme, kjo hapësirë shfrytëzohet edhe nga rrjetet kriminale për shitjen e drogës, armëve dhe mallrave të tjera të paligjshme.