​Gallapeni: Nuk mund ta përshkruaj ndjenjën që më jep fanella e Kosovës

Futbollisti i Përfaqësueses së Kosovës, Dion Gallapeni, ka folur për rrugëtimin e tij me Dardanët, emocionet e debutimit me fanellën e vendit dhe zhgënjimin pas humbjes nga Turqia në finalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Në një intervistë të publikuar të hënën në faqen zyrtare të klubit të tij, Wisła Płock, futbollisti kosovar është ndalur te fillimet e tij në Përfaqësuese, duke e cilësuar si një nder të madh mundësinë për ta përfaqësuar Kosovën.

Gallapeni ka kujtuar debutimin në ndeshjen e kthimit kundër Islandës, në plejofin për kalimin nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, kur u aktivizua për rreth dhjetë minuta në pjesën e dytë.

“Ishte një nder i madh për mua. Isha shumë, shumë i ri, luaja te Prishtina, në kampionatin e Kosovës. Ishte e vështirë, sepse në Përfaqësuese kishte futbollistë që luanin në liga të forta evropiane. Por, ishte vërtet diçka e madhe”, ka deklaruar Gallapeni.

Ai është ndalur edhe te eliminimi nga Turqia në finalen e plejofit për Botërorin 2026, duke pranuar se kjo humbje ka lënë zhgënjim, pavarësisht rrugëtimit të rëndësishëm që kishte bërë Kosova.

“Të luash në finalen e plejofit ishte diçka e jashtëzakonshme për ne dhe për gjithë vendin. Nuk arritëm të kualifikoheshim, por jemi një shtet i ri dhe po rritemi me çdo ndeshje. Kishte zhgënjim, sepse ishte një mundësi e shkëlqyer për futbollistët dhe për të ardhmen e Përfaqësueses. Megjithatë, ne nuk ndalemi. Duhet të shikojmë përpara”, ka thënë ai.

Gallapeni ka folur edhe për pozitën dhe rolin e tij në ekipin kombëtar, duke vlerësuar bashkëpunimin me futbollistët e tjerë dhe përvojën që po fiton në këtë nivel.

“Tani luaj në shumë ndeshje, kështu që është mirë. Kam kimi të mirë me bashkëlojtarët. Ata janë futbollistë të shkëlqyer dhe luajnë çdo ditë përkrah futbollistëve të tjerë të nivelit të lartë. Natyrisht, kjo është një përvojë shumë e mirë për mua. Luaj dhe tregoj se për çfarë jam i aftë”, ka theksuar futbollisti.

I pyetur se çfarë përfaqëson për të fanella e Kosovës, 21-vjeçari nuk ka kursyer emocionet, duke vënë në pah lidhjen me tifozët dhe mbështetjen që merr nga ta.

“Diçka të jashtëzakonshme. Madje, nuk kam fjalë për ta përshkruar. Kur i sheh tifozët, energjinë dhe dashurinë që ta përcjellin, është diçka krejt tjetër”, është shprehur Gallapeni.

Ai ka bërë të ditur se objektivi i radhës i Kosovës është kualifikimi në Kampionatin Evropian të vitit 2028, pasi ëndrra për pjesëmarrjen në Botërorin e vitit 2026 nuk u realizua.

“Ky është synimi ynë. Jemi të përqendruar që të kualifikohemi në Evropian. Nuk arritëm të shkonim në Kupën e Botës, por, pavarësisht zhgënjimit, ishim të kënaqur me luftën që bëmë. Tani synimi ynë është Evropiani”, ka përfunduar ai.

Gallapeni, i cili tashmë ka regjistruar 17 paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës, është pjesë e skuadrës polake Wisła Płock, ndërsa gjatë këtij muaji Dardanët i presin dy ndeshje në Ligën e Kombeve, kundër Izraelit dhe Irlandës. /KosovaPress/

Read Previous

​Dhunë në familje në disa qytete të Kosovës, arrestime, kërcënime dhe sekuestrim armësh