Cassis: Zvicra mbështet reformat dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian
Kriza politike kufizoi mbikëqyrjen parlamentare të qeverisë, gjyqësori nuk shënoi përparim, ndërsa vendimet përfundimtare dhe dënimet për korrupsionin e nivelit të lartë u pakësuan. Këto janë ndër mangësitë që evidenton Komisioni Evropian në Raportin për Kosovën 2026, të publikuar më 4 nëntor.
Raporti identifikon probleme në funksionimin e institucioneve demokratike, pavarësinë dhe efikasitetin e drejtësisë, si dhe në përpjekjet për parandalimin dhe ndëshkimin e korrupsionit.
Kriza politike kufizoi mbikëqyrjen e qeverisë
Në pjesën për demokracinë, Komisioni Evropian evidenton mangësi në ushtrimin e kompetencave të Kuvendit, përfshirë përdorimin e procedurave të përshpejtuara, paralizën institucionale dhe ndërprerjen e veprimtarisë parlamentare.
“Kuvendi mund t’i ushtrojë kompetencat e tij, megjithëse me mangësi të konsiderueshme, përfshirë përdorimin e përsëritur të procedurave të përshpejtuara, paralizën e zgjatur dhe pezullimin e veprimtarisë. […] Mbikëqyrja e ekzekutivit ishte ndjeshëm e kufizuar për shkak të krizës politike, me mekanizma të dobët kontrolli dhe balancimi dhe keqpërdorim të mekanizmave të qeverisjes”, thuhet në raport.
Komisioni konstaton se paqëndrueshmëria dhe bllokadat politike ndikuan edhe në avancimin e pabarabartë të reformave evropiane. Qeverisja në detyrë, gjatë ndërprerjes së veprimtarisë së Kuvendit, u zhvillua me kompetenca të kufizuara.
Raporti evidenton gjithashtu konsultime të vonuara dhe jokonsistente me shoqërinë civile, si dhe përfshirje të kufizuar të propozimeve të saj në vendimmarrje.
Pa përparim në funksionimin e gjyqësorit
Në fushën e drejtësisë, vlerësimi i Komisionit është se Kosova nuk shënoi përparim në funksionimin e gjyqësorit. Ndikimet e papërshtatshme vazhdojnë të pengojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.
“Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje dhe, në përgjithësi, nuk ka shënuar përparim në funksionimin e gjyqësorit. Ndikimi i papërshtatshëm nga faktorë të brendshëm dhe të ndryshëm të jashtëm, si interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që mbetet pengesë e konsiderueshme për pavarësinë dhe paanshmërinë, por në disa aspekte është intensifikuar. Paketa e projektligjeve për sistemin e drejtësisë ende nuk është miratuar, gjë që po pengon reformat shumë të nevojshme në këtë fushë”, theksohet në dokument.
Sipas raportit, vonesat në miratimin e kësaj pakete kanë ndikuar negativisht në përpjekjet për forcimin e llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit dhe prokurorisë.
Komisioni kërkon përgjegjësi më të qarta për funksionet drejtuese në këshilla, gjykata dhe prokurori, monitorim transparent dhe masa për adresimin e performancës së dobët.
Rënie e vendimeve dhe dënimeve për korrupsionin e nivelit të lartë
Në luftën kundër korrupsionit, Komisioni evidenton përparim të kufizuar. Raporti bën dallim ndërmjet rritjes së rezultateve për rastet e korrupsionit jashtë nivelit të lartë dhe pakësimit të vendimeve e dënimeve në rastet e nivelit të lartë.
“Kosova ndodhet ndërmjet një faze të hershme përgatitjeje dhe një niveli të caktuar përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit dhe ka shënuar përparim të kufizuar. Për rastet e korrupsionit që nuk janë të nivelit të lartë, vendimet gjyqësore përfundimtare dhe dënimet u rritën ndjeshëm. Megjithatë, pati rënie të numrit të vendimeve gjyqësore përfundimtare dhe dënimeve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për trajtimin e korrupsionit dhe mungon një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit”, thuhet në raport.
Komisioni kërkon përmirësimin e cilësisë së hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë, forcimin e kapaciteteve të Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë dhe bashkëpunim efektiv me Prokurorinë Speciale.
Ndër rekomandimet janë edhe miratimi i strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit kundër korrupsionit, kontrolli më efektiv i deklarimeve të pasurisë dhe zbatimi më i mirë i planeve të integritetit në institucionet publike. /Telegrafi/


