Gërvalla kërkon zbardhjen e plotë të rastit të Astrit Deharit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi sot progresraportin e Komisionit Europian për vitin 2026, si më të mirin që Shqipëria ka marrë ndonjëherë.
Kryeministri Rama doli në një konferencë të përbashkët për shtyp me ambasadoren e Delegacionit të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi zyrtarisht progresraportin e Komisionit Europian për Shqipërinë.
Kryeministri theksoi se tashmë Shqipëria ka hyrë në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim.
“Ky është raporti më i mirë i progresit që Shqipëria ka marrë në dorë ndonjëherë, çka tregon edhe këmbën tuaj të mbarë në misionin e përfaqësimit të BE-së në Shqipëri. Për një kohë të gjatë, rrëfimi i rrugëtimit europian të Shqipërisë është përcaktuar nga çfarë ne prisnim të ndodhte. Statusi i kandidatit; hapja e negociatave; miratimi i piketave të ndërmjetme. Sot, ky raport i publikuar dje nga KE përcakton një rrugëtim të ri. Jo më mbi atë që ne presim të ndodhë, por mbi hapat që duhet të hedhim për ta kryer këtë rrugëtim”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se fati europian i Shqipërisë është sot i gjithi në duart tona.
“Ky është lajmi kryesor i raportit. Shqipëria futet në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim në BE. Ky kilometër i fundit ka një mijë metra të tjerë për të përshkuar dhe në çdo metër ka njëqind centimetra për të kapërcyer”, tha Rama.
Sipas tij, raporti tregon se, krahasuar me një vit më parë, niveli i gatishmërisë së Shqipërisë është rritur dukshëm në të paktën 20 kapituj negociatash.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se raporti evidenton përparim në shumë fusha, duke nisur nga ekonomia, transformimi digjital, energjia, arsimi dhe përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së. /ATSH/