Shqipëria prezanton turizmin dhe kulturën e saj në panairin WTM London 2026

Shqipëria po prezanton potencialin e saj turistik në një prej panaireve më të rëndësishme ndërkombëtare të industrisë së udhëtimeve, WTM London 2026, përmes një programi treditor që ndërthur kulturën, trashëgiminë, gastronominë, destinacionet natyrore dhe inovacionin digjital.

Nga 3 deri më 5 nëntor, stenda shqiptare në Londër është shndërruar në një hapësirë takimi për përfaqësuesit e industrisë së turizmit, operatorët turistikë dhe vizitorët, duke sjellë në vëmendje veçoritë që e bëjnë Shqipërinë një destinacion për t’u zbuluar gjatë gjithë vitit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka bërë të ditur programin e aktiviteteve që zhvillohen gjatë tri ditëve të panairit, nën moton “Ndjeje Shqipërinë”, ku promovimi i destinacioneve shoqërohet me prezantime kulturore, përvoja gastronomike dhe forma të reja të eksplorimit virtual.

Programi i ditës së parë, më 3 nëntor, nisi me ceremoninë e hapjes së stendës dhe mirëseardhjen e partnerëve, për të vijuar me prezantimin e potencialit turistik të bashkive të Durrësit, Vlorës, Lezhës dhe Roskovecit. Në fokus ishin gjithashtu atraksionet e Durrësit dhe Mirditës, trashëgimia artizanale dhe objektet që rrëfejnë historinë e kulturës shqiptare.

Gastronomia zuri një vend të veçantë në program, përmes prezantimit dhe degustimit të ushqimeve tradicionale shqiptare, ndërsa aktivitetet interaktive dhe realiteti virtual u ofruan vizitorëve mundësinë të njihen me kulturën, natyrën dhe destinacionet e vendit në një formë më bashkëkohore. Dita u përmbyll me një performancë artistike, ku valltarët dhe muzikantët sollën elemente të traditës shqiptare në skenën e panairit.

Dita e dytë, më 4 nëntor, u zhvillua nën moton “Lidhu me Shqipërinë”, me një program që vuri theksin te gastronomia, destinacionet dhe turizmi digjital. Vlora dhe Roskoveci prezantuan ofertën dhe përvojat e tyre turistike, ndërsa Ada Minarolli nga Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi platformën “TEA 4.0”, të orientuar drejt zbulimit të eventeve dhe aktiviteteve në Shqipëri.

Një pjesë e programit iu kushtua artizanatit në veprim, ku vizitorët patën mundësi të njiheshin me punimet tradicionale dhe elementet e trashëgimisë shqiptare. Përmes aktivitetit “Histori përmes shijeve shqiptare”, u soll një rrëfim mbi origjinën, traditën dhe identitetin e produkteve gastronomike, i shoqëruar me prezantime dhe degustime. Programi përfshiu gjithashtu materiale promovuese, dhurata simbolike dhe eksplorime virtuale të destinacioneve shqiptare, për t’u mbyllur sërish me muzikë dhe valle tradicionale.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fblendigonxhja.al%2Fposts%2Fpfbid0aHcBopWcqPxRxqSBzALALTPQL3qyVHmNWpUWXN46YwiQmW6KWDwVCUh3j6hkXWfEl&show_text=true&width=500

Ndërkaq, dita e tretë dhe përmbyllëse, më 5 nëntor, mban moton “Zbulo Shqipërinë në katër stinë”, duke e vendosur në qendër turizmin gjithëvjetor, natyrën dhe aventurën. Përmes katër videove promovuese në aktivitetin “Shqipëria 365 ditë”, vendi prezantohet si një destinacion që ofron përvoja të ndryshme në secilën stinë.

Programi vijon me muzikë shqiptare dhe momente të dedikuara dhuratave simbolike, ndërsa Ritmentila Dyrma nga Agjencia Kombëtare e Turizmit prezanton përmes videos përvojat që ofron Shqipëria për turizmin e aventurës. Një tjetër udhëtim vizual, me titull “Shqipëria, muaj pas muaji”, sjell destinacionet dhe përvojat që mund të zbulohen përgjatë gjithë vitit.

Realiteti virtual dhe degustimi i ushqimeve tradicionale plotësojnë aktivitetet e ditës, ndërsa programi përmbyllet me një video-udhëtim nëpër Shqipëri dhe mbylljen e stendës në orën 17:00.

Përmes këtij prezantimi në WTM London 2026, Shqipëria synon të përcjellë një imazh turistik që shkon përtej sezonit veror, duke ndërthurur peizazhet natyrore, trashëgiminë kulturore, gastronominë, artizanatin dhe mundësitë e reja të eksplorimit digjital në një ofertë të vetme turistike./KultPlus.com

Read Previous

AKK: Komunat do të kenë 12.6 milionë euro më pak mundësi reale për investime

Read Next

Ministri Blendi Gonxhja njofton për përfundimin e punimeve restauruese në Kalanë e Borshit