​Spalletti i jep më shumë minuta Zhegrovës, por nuk mjaftoi për ta shmangur humbjen nga Genoa

Edon Zhegrova u përpoq të sillte më shumë rrezik në lojën e Juventusit, por skuadra e tij pësoi humbje 2-0 në udhëtim ndaj Genoas, në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të Serie A.

Futbollisti kosovar e nisi takimin nga stoli, ndërsa trajneri Luciano Spalletti e aktivizoi në fillim të pjesës së dytë, në përpjekje për ta ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Juventusi e mbylli pjesën e parë në disavantazh prej dy golash, pas realizimeve të Kingsley Ehizibue në minutën e 12-të dhe Tommaso Baldanzit në minutën e 28-të.

Me Zhegrovën në fushë, skuadra torineze tentoi të shtonte presionin në kërkim të rikthimit. Në minutën e 64-t, një goditje nga këndi e kosovarit gjeti në zonë Gleison Bremerin, por mbrojtësi brazilian nuk arriti ta dërgonte topin në kuadrat me goditjen e tij me kokë.

Dhjetë minuta më vonë, Zhegrova mori iniciativën individuale dhe provoi me një goditje të rrezikshme nga jashtë zonës, duke e detyruar portierin e Genoas, Justin Bijloë, të ndërhynte për ta devijuar topin në këndore.

Ky ishte një nga momentet më të mira të Juventusit në pjesën e dytë, por përpjekjet e mysafirëve nuk mjaftuan për të ndryshuar rezultatin. Në minutat shtesë, Teun Koopmeiners goditi traversën, ndërsa Juventusi pati edhe mundësi të tjera për të shënuar golin e nderit.

Pavarësisht përpjekjeve për të rikthyer skuadrën në lojë, Zhegrova nuk arriti ta ndihmonte Juventusin të shmangte humbjen e tretë në kampionat. /KosovaPress/

Read Previous

​Dita e 17-të e protestës në Tiranë, Rama sërish i fton protestuesit në dialog

Read Next

​Projektbuxheti 2027, Malaj: Angazhim për një Shqipëri më Sociale