Është ndarë nga jeta Dr. Zekë Zeka, mjeku i njohur që për shumë vite kontribuoi në sistemin shëndetësor të Kosovës, veçanërisht në fushën e anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv. Gjatë luftës në Kosovë, ai u angazhua edhe në trajtimin e ushtarëve të plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për kontributin e tij profesional dhe shoqëror, më 22 tetor 2026, Oda e Mjekëve të Kosovës e nderoi me dekoratën për merita të veçanta „Ali Sokoli“.
Postimi i plotë i Odës së Mjekëve:
Ndahet nga jeta Dr. Zekë Zeka
Dr. Zekë Zeka përfundoi studimet për mjekësi të përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Beogradit. Ndërsa, Specializimin në Anesteziologji dhe Reanimacion e përfundoi në Qendrën Universitare Spitalore në Tiranë,
Gjatë karrierës së tij profesionale, Dr. Zeka ushtroi detyra të rëndësishme drejtuese në sistemin shëndetësor, duke përfshirë pozitën e drejtorit të Klinikës së Anesteziologjisë, Mjekimit Intensiv dhe Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me përkushtimin e tij profesional, kontribuoi në ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe në avancimin e fushës së anesteziologjisë dhe mjekimit intensiv.
Në vitin 1995, ai u pranua si asistent i lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Krahas punës klinike dhe akademike, mori pjesë në simpoziume dhe konferenca shkencore, si dhe publikoi punime shkencore si autor dhe bashkautor. Studimet pasuniversitare i përmbylli me mbrojtjen e tezës së magjistraturës më 4 maj 2006, me temën mbi analgosedacionin e pacientëve në ventilim mekanik në mjekimin intensiv në QKUK, gjatë periudhës 2000–2001.
Gjatë luftës, Dr. Zeka dha kontribut humanitar e profesional duke trajtuar ushtarë të lënduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dëshmuar përkushtimin e tij ndaj jetës dhe shëndetit të njerëzve edhe në rrethana të jashtëzakonshme.
Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të çmuar ndër vite në mjekësi dhe në shërbim të shoqërisë, Oda e Mjekëve të Kosovës, më 22 tetor 2026, e nderoi me dekoratën për merita të veçanta, me titullin „Ali Sokoli“.
Oda e Mjekëve të Kosovës u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij.