Bedri Hamza jep dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar dorëheqjen e parevokueshme nga posti i të parit të partisë.

Vendimin e tij, Hamza e ka bërë të ditur sot para Kryesisë së PDK-së, duke thënë se kështu i hapet rruga një procesi të ri zgjedhor brenda partisë, ku anëtarët do të vendosin për udhëheqjen e ardhshme.

Ai ka theksuar se përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, përfshirë kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidimet për kryeministër dhe udhëheqjen e PDK-së, i ka ushtruar nga përgjegjësia ndaj partisë dhe Kosovës, e jo për ambicie personale.

Hamza ka thënë se gjatë udhëheqjes së tij është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, strukturave të saj dhe besimit të anëtarëve e votuesve.

“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka shprehur gjithashtu zhgënjimin e tij lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke thënë se përpjekjet për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës do të vazhdojnë.

Në fund, Hamza ka falënderuar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin, duke theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi atë personal.

“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Çerdhja e re në Gjakovë drejt përfundimit, do të ofrojë hapësirë për 120 fëmijë