Protesta në Tiranë, sërish përplasje mes protestuesve dhe policisë
Sevilla nuk e ka lënë pas polemikën e ndeshjes ndaj Real Madridit, duke paraqitur një ankesë zyrtare në La Liga për mënyrën e transmetimit televiziv të përballjes së zhvilluar në “Santiago Bernabeu”.
Klubi andaluzian pretendon se disa aksione të rëndësishme u transmetuan pa përsëritje të mjaftueshme, ndërsa penalltia e akorduar në favor të Real Madridit ndaj Kylian Mbappes u shfaq disa herë nga kënde të ndryshme.
Sevilla veçoi katër situata të diskutueshme: një ndërhyrje të Cucurellas ndaj Peques, një bërryl të Arda Gülerit ndaj të njëjtit futbollist, një faull të mundshëm të Konatés ndaj Robbie Ures para golit të dytë të madrilenëve dhe penalltinë e fituar nga Mbappe.
Klubi shprehu gjithashtu pakënaqësi për deklaratat e Sergio Carranza Lezcanos, përgjegjësit të realizimit audiovizual të La Ligës, lidhur me mënyrën se si përzgjidhen pamjet gjatë transmetimeve.
Në ankesën e nënshkruar nga presidenti José María del Nido Carrasco, Sevilla kërkon shpjegime të detajuara për kamerat dhe këndet e xhirimit, dorëzimin e pamjeve origjinale të aksioneve të kontestuara, ruajtjen e regjistrimeve dhe publikimin e protokolleve që rregullojnë realizimin televiziv.
Klubi kërkon gjithashtu hetim të plotë dhe masa korrigjuese, duke pretenduar se disa prej këtyre aksioneve u lanë jashtë edhe nga përmbledhja zyrtare e ndeshjes, pavarësisht se pamjet u transmetuan më vonë nga operatorë të tjerë televizivë.
Sevilla zhvilloi edhe një takim me Komitetin Teknik të Arbitrave, por palët nuk arritën pajtim për interpretimin e aksioneve të diskutueshme.
Polemika pas ndeshjes së 18 tetorit vazhdon të jetë e fortë, me Sevillan që kërkon më shumë transparencë si në vendimet e arbitrave, ashtu edhe në mënyrën e transmetimit të ndeshjeve të La Ligës. /Express