Kamberi: Bashkimi i shqiptarëve, mesazh për barazi dhe përfaqësim

Bartësi i listës së Koalicionit Shqiptar në Luginën e Preshevës, Shaip Kamberi, ka vlerësuar se bashkimi i subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet e parakohshme në Serbi përfaqëson një qëndrim të përbashkët politik për barazi dhe përfaqësim.

Gjatë aktiviteteve parazgjedhore, përfaqësuesit e subjekteve politike shqiptare janë mbledhur në Samolicë, ku kanë prezantuar mesazhin e bashkëpunimit mes Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Kamberi ka theksuar se ky bashkim synon të jetë një përgjigje politike ndaj sistemit qeverisës të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ky bashkim është përgjigjja jonë politike ndaj partisë-shtet të Vuçiqit. Një qëndrim i përbashkët për barazi, për dinjitet dhe për të drejtën që zëri ynë të dëgjohet e të përfaqësohet”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi politik nuk duhet të mbetet vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore, por duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi konkrete ndaj qytetarëve.

Sipas tij, bashkimi kërkon angazhim të përbashkët për përmbushjen e premtimeve dhe kërkim të llogarisë nga institucionet për marrëveshjet e pazbatuara.

“Bashkimi na ngarkon edhe me përgjegjësi që të punojmë bashkë, t’i mbajmë zotimet dhe ta mbajmë të përgjegjshëm pushtetin për moszbatimin e marrëveshjeve”, ka thënë Kamberi.

Me këtë mesazh, ai ka vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike shqiptare në Luginën e Preshevës, në funksion të përfaqësimit politik dhe mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve. /RTKlive

Read Previous

Rama dhe ambasadori britanik diskutojnë 19 projektet strategjike të Prishtinës

Read Next

Dr. Adem ​Mulaj: Kosova ka potencial për turizëm mjekësor