Indeksi i qarkullimit në tregtinë me pakicë në Kosovë shënoi rritje prej 16,87 për qind në gusht 2026, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Ndërkohë, indeksi i numrit të të punësuarve u rrit për 6,24 për qind, ndërsa ai i fondit të pagave dhe mëditjeve për 25,81 për qind.
Kështu bëhet e ditur në publikimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për statistikat afatshkurtra të tregtisë me pakicë, ku nuk përfshihet tregtia e automjeteve dhe motoçikletave.
Sipas ASK-së, rritjen më të lartë të qarkullimit e shënoi tregtia me pakicë e mallrave kulturore dhe të argëtimit në dyqane të specializuara, me 60,96 për qind. Pas saj renditet tregtia e pajisjeve informatike dhe të komunikimit, me rritje prej 42,52 për qind.
Qarkullimi në tregtinë e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara u rrit për 31,24 për qind, ndërsa në tregtinë e karburanteve për automjete për 28,58 për qind.
Rënie u regjistrua vetëm në tregtinë me pakicë të pajisjeve të tjera shtëpiake në dyqane të specializuara, me 1,06 për qind.
Sa i përket punësimit, rritje u shënua në të gjitha aktivitetet e përfshira në publikim. Rritja më e lartë ishte në tregtinë e mallrave kulturore dhe të argëtimit, me 18,47 për qind, pasuar nga tregtia e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit, me 14,61 për qind.
Ndërkaq, rritjen më të madhe të fondit të pagave dhe mëditjeve e shënoi tregtia e produkteve ushqimore, pijeve dhe duhanit në dyqane të specializuara, me 47,24 për qind, pasuar nga tregtia e mallrave kulturore dhe të argëtimit, me 44,09 për qind. /KosovaPress/
