​Protestat në Shqipëri, Kadriaj: Të gjejnë një gjuhë të mirëkuptimit, të mos shkatërrohet Shqipëria

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, lidhur me protestat në Shqipëri tha se është e drejtë e popullit të protestojë, por nuk po i pëlqen dhuna që po ushtrohet si nga policia ashtu edhe nga protestuesit.

“Kanë të drejtë popullata për çdo çështje, e shoh në Perëndim për rritje të çmimit të energjisë elektrike, popullata reagon sepse mendon se është e padrejtë, kjo është e drejtë. Ajo që nuk po më pëlqen është dhuna që po zhvillohet edhe nga protestuesit edhe nga policia, edhe djegiet që po iu bëhen objekteve, nuk duhet të shkatërrohet Shqipëria. Të ulen të diskutojnë dhe ta gjejnë një gjuhë të mirëkuptimit dhe jo të shkatërrohet Shqipëria”, tha Kadriaj pas mbledhjes së Komisionit për Integrime Evropiane. 

E pyetur se nëse edhe në Kosovë duhet të protestohet për problematika të njëjta, ajo u shpreh se është e drejtë por jo të shkatërrohen institucionet.

“Është e drejtë qytetare, është demokraci. Por unë nuk jam që të përdoret dhunë, të shkatërrohen institucionet. Në asnjë formë, çfarëdo që do të kishte qenë situata nuk kisha dashtë që Kosova të djeget dhe shkatërrohet sepse e dimë me sa mund dhe përgjegjësi është krijuar Kosova. Njëjtë më dhemb shpirti edhe për Shqipërinë dhe s’kisha dashtë me pa Shqipërinë të djegura me institucione. Ta gjejnë rrugën e dialogut dhe të diskutojnë për kërkesat që i kanë protestuesit”, shtoi ajo.

Ka disa ditë prej kur protesta në Shqipëri tashmë është bërë e dhunshme ku po ka përplasje mes Policisë dhe protestuesve, ndërsa kërkesa e këtyre të fundit është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. /KosovaPress/

Read Previous

Çitaku: Do të punojmë që vendimi i Speciales të përmirësohet në apel

Read Next

Parlamenti Evropian: Dënojmë dhunën gjatë protestave në Tiranë